Djegia e makinave në Laç, objektiv mësuesi i Fizkulturës, kamerat kapën një person me kapuç duke u vënë zjarrin
Një person i maskuar i ka vënë flakën tre makinave të parkuara pranë një banke në Laç, dy nga të cilat i përkasin një mësuesi dhe babait të tij. Nga hetimet mësohet se 30-vjeçari, Endrin Shehu, arsimtar në Sanxhak, ka qenë në shënjestër të sulmit. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin e zjarrvënies.
Tre automjete u shkrumbuan rreth orës 01:40 pas mesnate pranë një banke të nivelit të dytë në qytetin e Laçit.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka qenë i qëllimshëm.
Pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë të biznesit në vendin e ngjarjes është parë një person me kapuç në kokë, i cili i është afruar dy makinave, "Mercedezit" dhe një "Golf-i 4" të parkuara, duke ju hedhur benzinë.
Mësohet se shënjestër ka qenë mësuesi i Fizkulturës në shkollën 9-vjeçare në Sanxhak, Endrin Shehu.
Makinës së tij dhe të babait, u është vënë flaka nga personi i kapur nga kamerat e sigurisë.
Mësuesi 30-vjeçar nuk ka folur deri tani për ndonjë konflikt me persona të tjerë.
Flakët janë përhapur, duke shkrumbuar aksidentalisht dhe një të tretë ngjitur me to.
Ndërkohë, Policia më herët njoftoi se zjarri kishte ndodhur për shkak të një defekti në sistemin elektrik në një prej automjeteve.
Pas zbulimit të pamjeve, autoritetet bëjnë me dije se kanë nisur hetimet për identifikimin e autorit të zjarrvënies.
Zjarri i favorizuar dhe nga era e fortë ka shkaktuar dëme materiale edhe në një objekt dhe kioskë.
Forcat zjarrfikëse nuk kanë mundur të mbërrijnë në kohë për të parandaluar djegien e plotë të makinave.
