Rusia shënjestron Ballkanin, Moska: Podgorica dhe Shkupi do të kenë pasoja
Ministria e Jashtme e Rusisë ka dënuar vendimin e Malit të Zi për shpalljen non-grata të një diplomati rus nga vendi.
Një zyrtare e zyrës së Diplomacisë ruse tha se Moska do të ndërmarrë masë reciprociteti ndaj Malit të Zi.
"Dëbimi i diplomatëve rusë nga Mali i Zi është bërë një rast i izoluar vitet e fundit dhe Moska do t’i përgjigjet Podgoricës zyrtare me të njëjtën monedhë" tha diplomatja.
Diplomatja u ndal edhe te ekonomia e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut sa i përket sanksioneve kundër Rusisë.
Ajo tha se dy vendet e rajonit tonë do t’i vuajnë marrëdhëniet me Moskën.
"Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ranë në ndikimin e perëndimit dhe nuk arritën të formulojnë asnjë politikë të pavarur në lidhje me Ukrainën duke iu bashkuar regjimit të sanksioneve. Sanksionet ndaj Moskës do të godasin ekonomitë e dy vendeve dhe ato do të vuajnë sa i përket marrëdhënieve dypalëshe me Rusinë. Ne i kemi paralajmëruar të gjithë për këtë për një kohë të gjatë dhe në mënyrë të përsëritur" tha diplomatja.
Zyrtarja është e sigurt se Rusia gëzon mbështetjen e dy popujve të dy shteteve.
"Linja jomiqësore e liderëve të dy shteteve ndaj vendit tonë nuk gëzon mbështetjen e popullit. Pavarësisht përpjekjeve të Perëndimit për të imponuar një unanimitet shkatërrues, qytetarët e këtyre vendeve janë në gjendje të krijojnë një pamje objektive, pra të ndajnë gënjeshtrat propagandistike nga faktet"


