Rritja e çmimeve në Kosovë, Shoqata e Transportit paralajmëron protesta po s’pati subvencione

Edhe në Kosovë ka debate për rritjen e çmimeve të naftës dhe të prodhimeve të shportës. Së fundmi kanë qenë transportuesit publik dhe privatë që kanë folur për protestë nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. Ndërkohë, sindikalistët kërkojnë një pagesë më të lartë minimale për punëtorët.

Edhe Kosova ka filluar të ketë debate për rritjen e çmimeve në vend.

Së fundmi ka qenë një vendim i zv. ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për zbritje të çmimit të biletave të autobusit për disa kategori të shoqërisë që ka sjellë reagimin e Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve.

Vendimi parashihte përgjysmim të çmimit të biletës për studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët, ndërsa fëmijët deri në moshën 6-vjeçare nuk paguajnë.

Ky vendim është kundërshtuar nga Këshilli i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve që kërkoi shfuqizimin e vendimit dhe subvencionim të transportuesve privatë.

Ekspertët e financave në Kosovë vlerësojnë se edhe ekonomia e Kosovës pritet ta ndiejë krizën ekonomike përmes rritjes së çmimeve si rrjedhojë e luftës në Ukrainë.

Ata parashtrojnë ndërmarrjen e hapave për rishikimin e buxhetit si edhe subvencione për qytetarët dhe tregtarët.

Ndërkohë, sindikalistët në Kosovë kanë cekur edhe temën e pagës minimale në Kosovë.

Jusuf Azemi thotë se punëtorët nuk punojnë për një pagë 250 euro sepse nuk ju del.

Sipas sindikalistëve në Kosovë,  referuar studimeve të ekonomisë kosovare, një familje prej katër anëtarësh nuk mund të mbijetojë nën pagën 460 euro.