Gjukanoviç pritet që të vizitojë Kosovën por jo Serbinë
Presidenti i Malit të Zi, njëherazi kreu i partisë më të madhe në vend, Millo Gjukanoviç paralajmëroi një vizitë në Kosovë në javët e ardhshme dhe përjashtoi mundësinë për të shkuar në Serbi.
Gjukanoviç:"Do të vizitoj Kosovën në vazhdim, si një kontribut për mirëkuptimin ndërshtetëror dhe forcimin e traditës së marrëdhënieve të mira malazeze-shqiptare. Kudo që jemi takuar dhe me liderët e Kosovës në shumë vende, do të thosha se ishte një marrëdhënie jashtëzakonisht shembullore. Jam i bindur se si liderë të të dy vendeve do të kontribuojmë për besimin më të mirë të mundshëm mes vendeve tona dhe se do të vazhdojmë këtë praktikë dhe traditë."
Kreu i shtetit të Malit të Zi tha se dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të vijojë dhe se e mbështet integrimin e Prishtinës.
Gjukanoviç: "Është e rëndësishme që të dyja palët të tregojnë përgjegjësi në dialogun Kosovë-Serbi dhe të arrijnë një zgjidhje përfundimtare. Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës sepse kjo është e vetmja pamje e vërtetë e së ardhmes. Për mua është plotësisht legjitime që Kosova të jetë pjesë e integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Jam thellësisht i bindur se problemi kryesor i këtij rajoni është paqëndrueshmëria e tij dhe e kam thënë shumë herë se kemi shumë sprova, si në të kaluarën ashtu edhe në historinë e re, se nuk kemi mekanizma mjaftueshëm të besueshëm për stabilitetin tonë rajonal".
I pyetur për marrëdhënien me Serbinë, Gjukanoviç u shpreh se nuk ka ndërmend që vizitojë Beogradin në një kohë të afërt.
Gjukanoviç: "Shkaku i prishjes së marrëdhënieve politike mes Malit të Zi e Serbisë në vitet e fundit është i qartë. Jam i gatshëm të bisedoj me të gjithë, veçanërisht me fqinjët e rajonit. Nuk jam nga ata që zgjedhin se me kë president do të bashkëpunoj e me kë jo. Serbia zgjedh presidentin e saj dhe le të zgjidhet siç e duan qytetarët serbë".
