Refugjatet ukrainase mbërrijnë në Kosovë: S’e pritëm një mikpritje të tillë nga vendi që shteti ynë s’e ka njohur
Prej mëngjesit të 24 shkurtit Ukraina ndodhet e pushtuar nga Rusia, ku si pasojë rreth 2,8 milionë ukrainas deri më tani janë larguar nga vendi.
Në mesin e tyre janë edhe Maria Vitalievna Kydurko dhe Yulia Oleksandrivna Obodovskaya, të cilat kanë ardhur si refugjate në Kosovë për shkak të luftës.
Njëra prej tyre është larguar me dy fëmijët e saj në moshë 8 dhe 10-vjeçare dhe tjetra me fëmijën e saj 9-vjeçar. Aktualisht ato ndodhen në shtetin fqinj ndërkohë në një intervistë që kanë dhënë për mediat kosovare kanë falënderuar shqiptarët e Kosovës për mikpritjen dhe ndihmat që ua kanë ofruar që nga momenti kur ato arritën në kufi.
“Nuk kemi besuar se do të na priste një mikpritje e tillë nga populli e shteti që nuk i është njohur pavarësia e tij nga shteti ynë”, thanë ato.
Teksa kanë trguar për rrugëtimin e tyre drejt Kosovës, ato thanë se lufta filloi në momentin që Ukraina dëshironte të bëhej pjesë e BE.
“Fiks në kohën kur ekonomia po rregullohej dhe qeverisja ukrainase po shkonte drejt Evropës, erdhi lufta. Kjo iu ka penguar rusëve, që tanimë Ukraina dëshiron të shkojë drejt BE-së, kështu duke e zgjedhur edhe një president proevropian”,- shtuan ato.
Ndër të tjera ata kanë kujtuar dhe ditën kur forcat ruse pushtuan Ukrainën.
“Sulmi filloi që atëherë sepse u bombardua infrastruktura, autostradat, aeroportet dhe urat, për t’ia pamundësuar popullit ukrainas largimin nga vendi i tyre”, - thanë ata.
Dy banoret e qytetit të Vinnicya treguan se bashkëshortët e tyre janë duke luftuar në vendet ku po zhvillohet agresioni më i madh, ndërsa shtuan se edhe shumë gra të tjera kanë mbetur të bllokuara atje, mes tyre nënat dhe motrat e tyre.
“Shpresoj që të mbarohet sa më shpejtë lufta sepse po sulmohet më shumë populli se ushtria jonë”- shprehet njëra prej refugjateve, për infosot.

