Devolli proteston: Përgjigjet e Ramës nuk japin zgjidhje, duhen masa konkrete
Nga jugu në veri, prej 4 ditësh qytetarët po protestojnë kundër rritje abuzive të çmimeve. Sot në ditën e pestë të protestës, banorët e Devollit me pankarta në duar kanë bllokuar hyrjen e qytetit të Bilishtit.
Gazetarja e Ora News, Iris Rezhda bën me dije se protesta ka nisur në orën 10:00.
Ajo që i shqetëson më tepër fermerët është rritja e çmimit të naftës dhe mos ndërhyrja e qeverisë për sa i përket subvencioneve që ata duhet të marrin në bujqësi.
"Nuk është dita e parë. Protesta tona nuk kanë të ndalur me përgjigjet që po jep zoti Rama nuk është zgjidhje, është një gënjeshtër. Duhet të marrë masa konkrete, të përgjigjet thjesht dhe qartë. Nafta është ajo që na shqetëson. Nafta është kryesorja."
Ata shprehen se është një situatë ku duhet të merren masa urgjentisht nga qeveria pasi është e pamundur të përballohet rritja e çmimeve.
Ata paralajmërojnë se do të vijojnë me protesta nëse nuk ndërhyhet.
