Rama "sulmon" sërish protestuesit: Nuk është koha të vini kujën e ta bëni Shqipërinë turpin e botës

Ndërkohë që qytetarët deklarojnë se nuk do të ndalin protestat para kryeministrisë, kreu i qeverisë Edi Rama konfirmon edhe njëherë se nuk do të heqë taksat e naftës.

Ai ironizoi tubimet që po zhvillohen në gjithë vendin kundër çmimeve të larta, duke i quajtur ‘turp i dheut’.

Rama: Ne nuk jemi këtu të ulim naftën për ata që duan të furnizojnë fuoristradat X5 për të bllokuar rrugët atje dhe për t'i mbajtur njerëzit në rrugë në këtë kohë lufte. Për turpin e dheut ndërkohë që e gjithë Evropa dhe e gjithë bota del në protesta për tu solidarizuar me ata të shkretët që i kanë bombat mbi kokë, me ata që vdesin atje, që i shkatërrohet çdo gjë, këtu janë disa që dalin me makina x5 dhe bëjnë protesta me drita i-Phonesh. Nuk kanë pensionistët drita i-Phone dhe nuk kanë as vetura për të mbushur. Ata që kanë mundësi më shumë do paguajnë më shumë. Sot është koha për tu ndjerë mirë që ke mundësi të paguash më shumë. Nuk është koha për të vënë kujën dhe për ta bërë Shqipërinë turpin e botës. I vetmi vend i NATO-s, i vetmi vend i Evropës, i vetmi vend i botës që del dhe bën protesta për llogari të ca personazheve që duan të përfitojnë  nga situata.

Gjatë takimit me përfaqësues të biznesit, për të prezantuar paketën e rezistencës sociale, Rama tha se do të kompensojë me 3 mijë lekë rritjen e çmimeve të shportës për shtresat në nevojë.

Kjo shumë do të përfitohet për 3 muaj nga pensionistë, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet me ndihmë ekonomike.

Ndërsa njoftoi se nga muaji prill paga minimale do të bëhet 32 mijë lekë, Kryeministri paraqiti dhe objektivin e qeverisë për vitet e ardhshme.

Paketa e rezistencës sociale përfshin edhe zerimin e taksës mbi pagat deri 40 mijë lekë dhe përgjysmimin e saj mbi pagat deri 50 mijë lekë.

Kryeministri foli edhe për përpjekjet e qeverisë për të mos ndalur eksportin e grurit.

Paketa do të hyjë në fuqi në prill dhe përmban dhe 20 miliardë lekë për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e familjarëve dhe bizneseve të vogla.