Nis protesta në Berat, me pankarta në duar qytetarët dalin në qendër të qytetit, kërkojnë uljen e çmimeve
Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, në hyrje të Bulevardit të qytetit të Beratit, nisi pasditen e sotme protesta e qytetarëve kundër rritjes së çmimit të naftës,ushqimeve,taksave etj.
Qindra qytetarë beratas ju bashkuan kësaj proteste paqësore,e cila nisi me një marshim drejt Prefekturës së qarkut Berat,ku edhe u pozicionuar fillimisht duke folur protestuesit për rreth 1-orë.
Protestuesit bllokuan fillimisht aksin Axhensi-Gjykatë, pranë Prefekturës së qarkut ku nuk u shoqërua asnjë incident, ndërkohë që mjetet u devijuan nga policia për të qarkulluar në rrugën përgjatë lumit Osum.
Marshimi i protestuesve vijoi më pas në hyrje të Bulevardit të qytetit,në vendin e quajtur "Ulliri",ku protestuesit bllokuan rrugën.
Ajo që deri në këto momente u duk si një protestë paqësore vijoi me përplasjen e fortë mes protestuesve dhe forcave të policisë, që shoqëruan edhe disa persona.
Shoqërimi i protestuesve irritoi turmën,e cila e përqendroi protestën përpara DVP-së Berat.
Dy tentativat e protestuesve për të bllokuar rrugën përpara Drejtorisë Vendore të Policisë Berat u penguan nga forcat Shqiponja.
Protesta u mbyll pas 2 orë e gjysmë marshim e përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë,ndërkohë që nuk dihet ende numri i protestuesve të shoqëruar në ambientet e DVP-së Berat.
