Korça e Lushnja në protestë, qytetarët: Ky i gjati na falimentoi!

Protestat për rritjen e çmimeve vijuan në rrethe edhe të premten në ditën e tretë të tyre. Qytetarët në Lushnje bllokuan rrugët, ndërsa studentët në Korçë marshuan në rrugët e qytetit duke kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Dhjetëra qytetarë bllokuan rrugën Lushnje-Fier paraditen e së premtes.

Radha e makinave si pasojë e bllokimit të qarkullimit shkoi në disa kilometra.

"I bëj thirrje zonjës ministre që pjesën që kam mbjellë me grurë dhe elb të vijë t'i hedhë plehun, urenë, ta korrë dhe ta ndajmë përgjysmë. Ajo të marrë pjesë në shpenzime."

Policia e rendit dhe forcat shqiponja krijuan kordone sigurie, por qytetarët u ulën në rrugë në shenjë proteste.

"Është e disata herë  sepse ne ky i gjati na ka falimentuar. Jemi në katastrofë, po punojmë po i hedhim."

"Sot nuk jemi ngritur për naftën, jemi ngritur për të gjitha sepse ka shkuar aty ku nuk mban më fermeri shqiptar."

Pas disa orëve qarkullimi në rrugë vijoi normalisht, ndërsa qytetarët paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë!

Në Korçë studentët kundërshtuan rritjen e çmimeve.

"Nëse nuk merret një vendim për uljen e taksave dhe të naftës, sepse shumica e këtyre studentëve nuk janë nga qyteti i Korçës dhe i nevojitet një rrogë e plotë që ët vijnë në Korçë."

Ata marshuan në rrugë me thirrje dhe me pankarta në duar, ku i kërkonin qeverisë të ndërhyje.

"Nëse nuk merren masa lidhur me këtë situata ne do të vazhdojmë dhe mbase protesta do vazhdojë në mënyrë jopaqësore."

Për të tretën ditë me radhë në të gjitha qytetet e vendit po vazhdojnë protestat kundër rritjes së çmimeve.