Vit pas viti në Mat bie numri i bagëtive të imëta
Në 10 vitet e fundit numri i krerëve të bagëtisë së imtë në zonat rurale në Mat ka ardhur drejt rënies së theksuar. Shkaqet janë nga më të ndryshmet, ndërsa specialistët e lidhin këtë me disa faktor siç janë emigrimi masiv dhe rritja e kostove.
Terreni malor dhe tokat e punueshme e pakët e bëjnë blegtorinë sektor kryesor në Qarkun e Dibrës.
Por krahas arave djerr edhe stallat po mbeten bosh.
Vitet e fundit atje është vërejtur një ulje drastike e numrit të bagëtive.
Specialistët thonë se kjo situatë ka disa shkaqe që lidhen kryesisht me emigrimin e të rinjve.
"Ka shumë arsye, shumë shkaqe, një ndër to është emigracioni që ka ndodhur sidomos vitet e fundit dhe fuqia punëtore është pakësuar në mënyrë të ndjeshme", tha Izet Bala, Inspektor Veterinar në Bashkinë e Klosit.
Rritja e kostove mbi blegtorët është një tjetër arsye për rënien e numrit të krerëve të bagëtive.
"Kjo ka ndodhur edhe për arsye të rritjes së çmimit të punimeve të tokave bujqësore si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës, pesticideve. Njëkohësisht edhe plehrat kimike kanë ndikuar", tha ai.
Rënia e ndjeshme e numrit të bagëtisë së imtë në zonat rurale vihet re kudo në zonën e Matit.
Pjesa më e madhe e familjeve tashmë thonë se mbajnë bagëti vetëm për qumësht apo mish të freskët.
