Gjirokastër/ Po transportonte 16 emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit, 25-vjeçari i shpëton policisë. Shpallet në kërkim
Një 25-vjeçar që po transportonte 16 emigrantë të paligjshëm është shpallur në kërkim në Gjirokastër.
Policia ka sekuestruar automjetin me të cilin po transportonte emigrantët.
Në kuadër të operacionit "Road Guard" për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, u ëb shpallja në kërkim e shtetasit S. S., 25 vjeç banues në Tepelenë (me precedent të mëparshëm penal).
Shpallja në kërkim e tij u bë pasi, në vendin e quajtur "Ura e Lumit", Gjirokastër, shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë shenjë ndalimi shtetasit S. S., i cili po drejtonte automjetin tip furgon, por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar mjetin, të cilin e ka braktisur në vendin e quajtur "Virua".
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi S. S. po transportonte 16 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale "Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".
