Gjyq për krizën politike në PD, Gjykata shqyrton kërkesën e Bashës, Grupi i Rithemelimit pezull

Gjykata e Tiranës ka pezulluar shqyrtimin e kërkesës së Grupit të Rithemelimit për ndryshimet në statut pas kuvendit të 11 dhjetorit. Gjyqtari Agron Zhukri nuk bën asnjë lëvizje pa dalë më parë vendimi i Gjykatës për ndryshimet stautore te kërkuara nga Basha pas Kuvendit të korrikut.

Kriza politike në Partine Demokratike ka vënë në vështirësi  Gjykatën e Tiranës, e cila ka dy kërkesa për ndryshim statuti me siglën e PD por nga dy grupime të ndryshme. Një nga Basha dhe tjetra nga Berisha . 

Gjyqtari Agron Zhukri të cilin e përzgjodhën ‘goglat’ për të shqyrtuar ndryshimet e bëra në statutin e Partisë Demokratike në Kuvendin e mbajtur më 11 dhjetor nga ish-kryeministri Sali Berisha, ka pezulluar përkohësisht shqyrtimin e kërkesës. Zhukri e ka vendosur në 24 shkurt pezullimin e shqyrtimit të kërkesës së Berishës, derisa gjyqtarja Blerina Muça, e cila ka në dorë kërkesën e  Bashës,  të marrë vendimin për ndryshimet në statut të kërkuara pas kuvendit të 17 korrikut. 

Pra Zhukri nuk bën asnjë veprim, pa pasur në tryeze dosjen  e regjistrimit fillestar të ndryshimeve në stautin e PD-së, çështje të cilën gjyqtarja Muça do ta shqyrtojë më 18 mars.

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike i depozitoi më 15 dhjetor në Gjykatë ndryshimet statutore që u miratuan në Kuvendin Kombëtar më 11 dhjetor, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Me këtë hap të ndërmarrë, Komisioni i Rithemelimit synon të legalizojë çdo ndryshim të miratuar përfshi dhe shkarkimin e  Lulzim Bashës nga detyra e kryetarit.

Edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka depozituar në Gjykatën e Tiranës ndryshimet e bëra në statut në Kuvendin e mbledhur nga PD më 17 korrik. Vetëm pas 18 marsit, nëse ka një vendim nga gjykata, për kërkesen e  Bashës, mundet që të vihet në lëvizje kërkesa e Berishës për ndryshimet statutore.