‘Mbaron’ pandemia në Amerikë, United Airlines do lejojë të pavaksinuarit të kthehen në punë
Për kompaninë ajrore United Airlines duket se pandemia e Covid-19 ka përfunduar. Kompania e cila ishte e para që vendosi detyrimin për të qenë i vaksinuar për punëtorët, i mirëpret këta të fundit të rikthehen në punë edhe të pavaksinuar.
‘United Airlines’ është kompania e parë ajrore që do të lejojë punonjësit e saj të pavaksinuar të rikthehen në punë që nga 28 marsi.
Kompania me bazë në Çikago tha se rreth 2200 punonjës do të jenë në gjendje të rikthehen në punë.
United Airlines ishte e para nga kompanitë e mëdha që vendosi një detyrim për të qenë të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës anti-covid për punonjësit e saj.
United vuri në dukje rënien e fundit të rasteve me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara dhe udhëzimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
CDC në fillim të këtij muaji tha se maska nuk ishte më e nevojshme në shumicën e vendeve.
Instituti i sëmundjeve tha gjithashtu se Covid-19 po kthehej si një grip i zakonshëm dhe se gradualisht do të hiqeshin të gjitha masat anti-covid.
