Bisedimet Rusi-Ukrainë, Kuleba: Duam të vijojmë diskutimet me Moskën për një zgjidhje të situatës

Në Antalia të Turqisë janë zhvilluar këtë të enjte negociatat e para të nivelit të lartë mes Ukrainës dhe Rusisë. Të dyja palët falenderuan Turqinë për këtë ndërmjetësim teksa thanë se janë të hapura për të vijuar negociatat më tej.

Turqia ka marrë pozicionin e “neutralitetit aktiv” siç e cilëson vetë ajo, në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.

Këtë të enjte, delegacione të nivelit të lartë, të udhëhequr nga kryediplomatët Lavrov i Rusisë dhe Kuleba i Ukrainës janë takuar në Antalia të Turqisë.

Këto janë bisedimet e para të nivelit të lartë që zhvillohen mes palëve që se ka nisur lufta prej dy javësh.

Ukraina së fundmi ka lënë të kuptohet se mund të negociojë një status neutral pasi të heqë dorë nga aplikimi për anëtarësim në NATO. 

Megjithatë, qeveria e Zelenskyt ka përsëritur se nuk do të heqë dorë nga integriteti territorial i Ukrainës.

Pas takimit ministri Kuleba u shpreh se bisedimet do të vijojnë për të kërkuar zgjidhje, por Ukraina nuk mund ta ndalë luftën, nëse vendi dhe shteti që na sulmon nuk e bën këtë.

Ndërkohë, Moska është e palëkundur në kërkesat e saj që përfshijnë çmilitarizimin e Ukrainës, njohjen e aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe të republikave separatiste Donetsk dhe Luhansk.

"Ne duam që Ukraina të jetë një vend neutral. Duke kundërshtuar zgjerimin e NATO-s, ne në asnjë mënyrë nuk kundërshtojmë që Ukraina të vendosë sigurinë e saj", u shpreh Lavrov pas takimit.

Për shkak të centraleve bërthamore që ndodhen në Ukrainë dhe rrezikun që ato paraqesin për gjithë botën nëse sulmohen, pjesë e takimit ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi.

Qëllimi i tij në takim është " që të bëjë përparim në çështjen urgjente të garantimit të sigurisë së objekteve bërthamore të Ukrainës" – tha Gross përpara takimit.