Predhat ruse i vranë gruan dhe dy fëmijët, burri tregon se si e mësoi lajmin: Njoha valixhet kur pashë trupat e shtrirë
Një burrë ukrainas ka treguar se si mësoi se gruaja dhe dy fëmijët e tij u vranë nga një predhë ruse duke parë një postim që tregonte trupat e tyre të pajetë në Twitter.
“Unë e njoha valixhen dhe kështu e mësova”, tha Serhiy Perebyinis për New York Times.
Tetiana Perebyinis dhe dy fëmijët e tyre, Mykyta, 18 dhe Alisa, 9 vjeç, vdiqën në qytetin e Irpin ndërsa po arratiseshin.
Në vitin 2014, ata u larguan nga Ukraina lindore për t'u vendosur në Kiev pas luftimeve mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Një foto e familjes së vdekur të shtrirë pranë një monumenti për viktimat e Luftës së Dytë Botërore u shfaq në faqen e parë të New York Times.
"E gjithë bota duhet të dijë se çfarë po ndodh këtu," tha Serhiy, i cili kishte udhëtuar për t'u kujdesur për nënën e tij të sëmurë para se të shpërthente lufta.
Ai i tha gazetës se për t'u kthyer në Kiev, u detyrua të hynte në Rusi dhe më pas të fluturonte në qytetin e Kaliningradit për të kaluar në Poloni, shkruan BBC.
Ai i tha trupave ruse në kufirin me Poloninë: “E gjithë familja ime vdiq në atë që ju e quani një operacion special dhe ne e quajmë luftë."
"Mund të bësh çfarë të duash me mua. Nuk kam asgjë për të humbur".
Serhiy ka postuar në Facebook në rusisht se kalvari i tij ishte "si një film horror".
“Është e vështirë të shikosh kur gruaja jote e dashur është e shtrirë në dysheme”, ka shkruar ai.
Ai u zotua gjithashtu për drejtësi për familjen e tij: “Do të luftoj për ta deri në fund. Do të sigurohem që të ketë një vendim gjykate.”
