Po transportonin 31 kg kanabis nga Kruja në Fushë Mamurras, 2 të arrestuar, 1 në kërkim
Policia e Lezhës ka sekuestruar 31 kilogramë kanabis sativa dhe ka vënë në pranga 2 shtetas. Një tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas bluve, pas njoftimit se disa shtetas po transportonin lëndë narkotike nga Kruja në drejtim të Fushë Mamurrasit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Adriatiku”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i R. M., 33 vjeç, banues në Fushë Mamurras, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe D. L., 44 vjeç, banues në Krujë.
Në kërkim u shpall S.K, 24 vjeç.
"Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë operacionit, në oborrin e banesës së shtetasit R. M., i cili do të blinte lëndën narkotike që e kishin transportuar nga Kruja, shtetasit D. L. dhe S. K. Ky i fundit ka mundur të largohet në momentin e ndërhyrjes së Policisë", informojnë blutë e Lezhës.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi R. M. do ta shiste lëndën narkotike në doza, në qarkun e Lezhës. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 2 automjete, 2 aparate celulare dhe targa automjetesh.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitje të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim
