Dy vite pandemi, si ndikoi Covid-19 në Shqipëri? Sociologu: Patëm humbje jete por fituam dhe disa "virtyte"

Dy vite më parë, në mars të 2020 bota u godit nga pandemia Covid-19. Edhe Shqipëria ishte një nga vendet që u prek rëndë  në të gjitha fushat sociale, ekonomike dhe shoqërore. Por si ka ndikuar kjo pandemi përgjatë këtyre 2 viteve? Çfarë ka ndryshuar për vendin tonë?

Të ftuar në Ditë e Re, në RTV Ora me moderator Arjon Muça dhe Arjola Shehu ishin të ftuar sociologu Gëzim Tushi dhe ekspertja e ekonomisë Elona Shehu të cilët analizuan ndryshimet që vendi ynë pësoi gjatë kësaj periudhe 2-vjeçare. 

Tushi: Ka disa gjëra që janë evidente. Praktikisht pandemitë, dhe unë e kam theksuar edhe në librin tim, edhe gripi spanjoll i 1918-1920 zgjati 2 vjet. Edhe ky është në grahmat e fundit, është në rënie. Nëse atëherë kanë humbur jetën, ka dy shifra, 20 dhe 30 milionë, këtu ka shkuar te 10 milionshi. Rreth 3500 persona kanë vdekur në Shqipëri nga Covid, në gjendje spitalore.  Kjo tregon për epërsinë që ka shoqëria e sotshme për të përballuar pandemitë. Kjo shoqëri është shoqëria e pasigurive, që në fund të shekullit të kaluar e kishin parashikuar sociologët këtë shekull. Ata kanë parashikuar që ky shekull do jetë shekull i çuditshëm, i pasigurive të mëdha. Rreziqet janë disa lloje, që nga rreziqet planetare, ne provuam tërmetet, ngrohjen globale, kemi një dëmtim ekologjik, po shkatërrohen pyjet, lumenjtë, jemi duke prerë degën ku qëndrojmë ne. Rreziqet planetare që varen nga natyra lidhen me mënyrën si e organizojmë ne jetën tonë. Tani jemi në gjendje lufte që nuk ishte parashikuar.

Pandemia ka anën e errët dhe anën pozitive. Ana e errët është që na izoloi, na preku nga ana ekonomike dhe na solli e probleme të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet njerëzore. Megjithatë në sistemin përgjithshëm të ndryshimeve erdhën e dhe disa gjëra që unë i kam quajtur "virtyte" të pandemisë. U bëmë shoqëri e kujdesshme, fillojmë të diskutojmë distancën, po respektojmë distancën private. Shumë sociologë kanë thënë që do goditet demokracia nga pandemia sepse nuk do kishim më këto grumbullimet masive.

Shehu: 2020 e tkurri totalisht ekonominë. Për shkak të karantinimit konsumi ra shumë ndjeshëm. Rreth 71% e kompanie raportuan një rënie se nuk kishin ku t'i shisnin prodhimet e tyre. U shkurtua prodhimi, u ul dhe numri i punonjësve. Një efekt ishte rënia e konsumit dhe një efekt tjetër ishte fakti që ranë të ardhurat. Elementi tjetër ka qenë edhe bilanci tregtar i cili ra me 37%. Në kushtet e karantinës kur e gjithë bota u mbyll ne e përjetuam edhe këtë element.