Tirana, kryeqyteti me cilësinë më të keqe për të jetuar në Europë, ndër të fundit në botë
Tirana renditet si kryeqyteti me cilësinë më të keqe për të jetuar në Europë dhe ndër të fundit në botë. Janë këto të dhënat e fundit që vijnë nga Numbeo, sistemi më i madh i të dhënave për koston dhe cilësinë e jetesës, i cili hedh poshtë propagandën e kryebashkiakut Erion Veliaj për cilësinë e jetës në kryeqytet të cilin e ka vetëshpallur edhe si kryeqyteti i rinisë
Në renditjen e re të vitit 2022, Tirana është në vendin e 229, në përkeqësim nga viti i mëparshëm kur ishte në pozicionin e 222. Kryeqyteti shqiptar renditet ndër të fundit në botë, nga 255 qytetet që janë marrë gjithsej në renditje.
Sa i përket indeksit të fuqisë blerëse, Tirana është në vendin e 122, apo thënë ndryshe ndër të fundit në Europë.
Lidhur me indeksin e ndotjes, Kryeqyteti shqiptar është në vendin e 243, më e ndotura në Europë dhe ndër të fundit në botë nga 255 gjithsej.
Lidhur me raportin e çmimeve të shtëpisë ndaj të ardhurave, Tirana është në vendin e 207, ndër qytetet më të shtrenjta në Europë për të blerë një shtëpi në raport me të ardhurat.
Në lidhje me indeksin e Kujdesit Shëndetësor, Tirana është në vendin e 245, e fundit në Europë dhe ndër 11 të fundit në botë.
PO ashtu shqetësues paraqitet dhe indeksi i kohës së qëndrimit në trafik, ku Tirana renditet nga fundi, saktësisht në vendin e 182.
Në Europë, qyteti më i mirë për të jetuar është Zyrihu në Zvicër, i ndjekur nga qytete të tjera po në Zvicër, si Baseli, Gjeneva. Më pas renditen Eindhoven në Holandë, Kopenhagën në Danimarkë. Ndërsa qytetet me cilësinë më të mirë të jetës në botë janë Raleigh, NC, United States; Canberra, Australia; Adelaide, Australia.


