Zjarr gjatë natës në konviktin e Qytetit Studenti, lëndohet një studente, policia “fsheh” ngjarjen
Konviktet e vajzave në qytetin student u përfshinë nga flakët gjatë orëve të natës. Fatmirësisht ngjarja nuk shkaktoi pasoja veç një studenteje të plagosur në tentativë për të dalë nga godinat 28 dhe 29. Policia ka mohuar që dhoma ku ra zjarri të ishte e banuar por burime të tjera thonë se aty qëndrojnë dy vajza të cilat në momentin e flakëve nuk ndodheshin në godinë.
Një prej konvikteve të vajzave në qytetin student u përfshi nga flakët mesnatën e të mërkurës, 9 mars.
Vatra e zjarrit ishte në dhomën e katit të tretë ndërsa një studente u lëndua teksa po mundohej të dilte nga godina.
Policia thotë së dhoma që u përfshi nga flakët ishte e pabanueshme, por burime të sigurta bëjnë më dije se aty qëndrojnë student edhe pse nuk janë ndodhur aty në momentin që ka rënë zjarri.
Sipas përfaqësuesit të studenteve Aurel Kujtimi godina në fjalë nuk ka kushtet e duhura elektrike dhe hidrosanitare, duke rrezikuar edhe jetën e studentëve.
"Thonë që mund të jetë harruar diçka ndezur, por unë mendoj që mund të jetë mbingarkesa nga linjat elektrike që nuk janë bërë asnjëherë riparime", tha ai.
Pas shuarjes së flakëve punëtorët e qytetit studenti kanë filluar lyerjen e dhomave dhe korridoreve në ambientin që ishte përfshirë nga flaket. Ndërkohë që policia prej mbrëmjes së djeshme ka filluar më ekspertizën e cila ende nuk ka arritur në përfundime për shkakun e zjarrit.
