Zyrtare/ FIFA çon direkt Poloninë në finalen playoff. Shtyhet Skoci-Ukrainë

Ashtu siç pritej, gjysmëfinalja e play-offit mes Skocisë dhe Ukrainës për Kupën e Botës është shtyrë. FIFA mori vendimin teksa përballja ishte parashikuar të luhej në Hampden Park në Glasgow më 24 mars, por pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia ishte e logjikshme që përfaqësuesja ukrainase nuk mund të luante në një situate të tillë.

FIFA doli me një deklaratë zyrtare që shtyn këtë takim për dritaren e Qershorit ku do të ketë ndeshje të kombëtareve ndërsa përballja tjetër mes Uellsit dhe Austrisë do të luhet normalisht. Por finalja playoff mes fituesve të dy çifteve detyrimisht shtyhet edhe ajo për në Qershor.

Ndërkohë një vendim tjetër i rëndësishëm ishte edhe zyrtarizimi i dërgimit të Polonisë direkt në finalen playoff për Kupën e Botës duke eliminuar kështu Rusinë. Polonia do të presë kështu normalisht më 29 Mars fituesin e çiftit Suedi-Çeki./Ora News/.