Laçi ndalet sërish, Teuta mposht Egnatian në Rrogozhinë
Laçi mund të themi se është dorëzuar në luftën për titull. Edhe kur barazimi i Tiranës në derbi mund të shërbente për t’u afruar me kreun, kurbinasit nuk shkuan më shumë se një barazim në përalljen me Kastriotin në Kamëz.
Krutanët po bëjnë paraqitje të mira javët e fundit duke u larguar nga fundi i tabelës dhe sot morën 1 pikë shumë të vlefshme për renditjen.
Fillimisht ishin miqtë që kaluan në avantazh me Guindo në 21’ ndërsa nuk munguan edhe rastet e tjera për ekipin e Josës. Në pjesën e dytë pas një insistimi të gjatë erdhi edhe barazimi i Kastriotit me Kaina në 58’ pas një goditje në limitet e zonës. Me një barazim të tillë, Kastrioti merr shpresa të mëdha për të qëndruar në Superiore.
Ndërkohë një tjetër duel u luajt për mbijetesën, kësaj radhe në Rrogozhinë. Egnatia priti Teutën në shtëpi por 3 pikët arritën t’i merrnin durrsakët të cilët u imponuan minimalisht 1-0.
Ekipi i Arapit gjeti golin që në pjesën e parë me Dacin në 26’ pas një hutimi në portën e Egnatias.
Minutat në vijim dhe në pjesën e dytë flasim më shumë për ekipin e Ramadanit që hidhet i gjithi në sulm për të arritur te goli por mbrojtja e hekurt e Teutës reziston e nga ana tjetër edhe pasaktësia e lojtarëve vendas bënë që rezultati të mos ndryshojë./Ora News/.
