Vajzat kuqezi nisin eliminatoret e Euro-17 për femra me fitore ndaj Azerbajxhanit

Kombëtarja U-17 për femra e ka nisur mbarë aventurën e saj në raundin kualifikues të Evropianit të moshës U-17, pasi mposhti me rezultatin 1-0 Azerbajxhanin. Një sukses i merituar për ekipin e drejtuar nga trajneri Agustin Kola, që i jep tre pikët e para Shqipërisë në Grupin 3 të Ligës B të Evropianit.

Vajzat kuqezi ishin superiore ndaj rivaleve të Azerbajxhanit dhe gjithçka u vendos nga një gol i shënuar në minutën e 37-të kur Klaudia Borci arrin të shënojë golin e avantazhit me një gjuajtje nga afër zonës kundërshtare.

Shqipëria U-17 luajti me këtë formacion: Synaj, Tori, Maxhalaku, Bilinishta, Vasa, Coka, Methoxha, Borci, Kodra, Muça dhe Reshiti ndërkohë që në ndeshjen tjetër të Grupit 3 të luajtur më herët në stadiumin “Egnatia” të Rrogozhinës, Skocia U-17 mundi Maqedoninë e Veriut U-17 me rezultatin e thellë 9-0./Ora News/.