Italia hap dyert për ukrainasit, mbi 14 mijë refugjatë të shpërndarë në qytete. Prifti ortodoks tregon për Ora News angazhimin e vullnetarëve

Mbi 14 mijë refugjatë ukrainas kanë mbërritur gjatë ditëve të fundit në Itali. 

Ky vend është nga të parët në Europë që u aktivizua menjëherë për mikpritjen e popullsisë ukrainase përmes kanaleve humanitare të ngritura nga Organizata Botërore e Emigrantëve, Kryqi i Kuq, Awipeshkopia Italiane, organizata humanitare lokale e nacionale, si dhe falë iniciative individuale të familjeve italiane që gjatë këtyre orëve i kanë hapur dyert qytetarëve ukrainas.

Deri më sot Italia ka strehuar 14.237 refugjatë ukrainas, 5.726 ndër të cilët janë minorenë. 

Të dhënat janë zyrtare, të publikuara nga Ministria e Brendshme e cila specifikon se 7.052 prej tyre janë gra e 1.459 burra. 

Qytete kryesore të strehimit të refugjatëve ukrainas në Italia janë Roma, Milano, Bologna e Napoli.

Zyrat e prefekturave italiane, e bashkitë e këtyre qyteteve, kanë hartuar një plan strategjik për mikpritjen e tyre duke përfshirë dhe shoqata humanitare e grupe sociale aktivistë në mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve që largohen nga vendet në konflikt lufte.

Guvernatori i rajonit të Lazio-s, Nicola Zingaretti, ka informuar për ngritjen e një task-force speciale ndaj emergjencës humanitare në Ukrainë e se janë gati për mikpritjen e 10 mijë ukirainasve të parë në Romë e provincën përreth. 

Don Kixot, prifti i Kishës ortodokse San Sergio e Bacco në Romë për RTV Ora e Ora News, rrëfen se prej ditësh me qindra qytetarë romanë marrin pjesë në fushatën e mbledhjes së ndihmave, kryesisht ushqime e barna mjekësore në ndihmë të popullsisë ukrainase. 

Mbi strehimin e refugjatëve ukrainas, Don Kixot ka specifikuar se ky proces po menaxhohet nga Bashkia e Romës e Prefektura.

"Mjaft ukrainas kanë mbërritur dhe në mënyrë individuale pasi kanë familje, të afërm e miq në Itali", tha ai.