BE fillon shqyrtimin e aplikimit nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia për t'u bashkuar me bllokun
Ambasadorët e Bashkimit Evropian ranë dakord të hënën të shqyrtojnë ofertat e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë për t'u bashkuar me BE, duke filluar procesin e gjatë drejt pranimit.
Në një postim në Twitter të hënën, Presidenca franceze e BE-së tha se 27 Përfaqësuesit e Përhershëm të Vendeve Evropiane kishin rënë dakord të ftojnë Komisionin Evropian të paraqesë një opinion për secilën prej aplikimeve për anëtarësim në BE të paraqitura nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia.
Kjo gjë fillon një proces që mund të marrë vite për të përfunduar përpara se të tre vendet ish-sovjetike të konsiderohen vende kandidate për t'u bashkuar me BE.
Vendet që dëshirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian duhet të përmbushin kriteret e anëtarësimit, të cilat përfshijnë reforma komplekse sociale, ligjore dhe politike dhe që janë kushte thelbësore që të gjitha vendet kandidate duhet të plotësojnë për t'u bërë një shtet anëtar.
Kapaciteti i BE-së për të absorbuar anëtarë të rinj, është gjithashtu pjesë e konsideratës për lejimin e vendeve të reja për t'u bashkuar me bllokun.
Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha në një postim në Twitter të hënën se oferta e anëtarësimit të Ukrainës do të diskutohet në ditët e ardhshme.

