Mbretëria e Bashkuar do të japë 230 milionë dollarë shtesë si ndihmë për Ukrainën

Kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi për një ndihmë shtesë prej 230 milionë dollarësh për Ukrainën.

Ky është momenti që miqtë e Ukrainës të krijojnë një koalicion të mbështetjes ushtarake humanitare, ekonomike dhe mbrojtëse për të siguruar që Putini të dështojë në këtë pushtim katastrofik, tha ai të hënën.

Johnson foli në një konference të përbashkët shtypi me homologët e tij holandezë dhe kanadezë në Londër.

Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Holanda qëndrojnë krah për krah kundër pushtimit rus të Ukrainës, shtoi Johnson.

"Grupi ynë i ri ndërkombëtar për mbështetjen e Ukrainës do të koordinojë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të ofruar ndihmë afatgjatë dhe të palëkundur tani dhe në të ardhmen, dhe ne do të inkurajojmë më shumë vende të bashkohen me ne," tha Johnson në konferencën për shtyp.

Në 12 ditët e pushtimit rus në Ukrainë, Johnson theksoi se është e qartë se presidenti rus Vladimir Putin bëri një llogaritje të gabuar duke nënvlerësuar Ukrainën.