Atentati mafioz në Vlorë, hetohen konfliktet për pazare droge. Dëshmitarët: Meçaj punonte si skafist për turistët

Konfliktet për pazaret e drogës janë pista kryesore e hetimit për plagosjen e 33-vjeçarit Romeo Meçaj, i cili ra pre e një atentati mafioz mbrëmjen e të shtunës në Vlorë. 15 dëshmitarë të pyetur nga policia nuk e kanë ndihmuar hetimin, ndërkohë që edhe kamerat e sigurisë së zonës nuk kanë arritur ti fiksojnë autorët. Ata kanë përdorur një makinë "Golf 5",  të cilën e dogjën disa minuta pas ngjarjes në zonën e Ujit të Ftohtë.

Policia e Vlorës ka shoqëruar dhe marrë në pyetje rreth 15 persona në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën pranë Pallatit të Sportit ku u plagos 33-vjeçari, Romeo Meçaj.

Mes të shoqëruarve mësohet se ka dëshmimtarë okularë, familjarë dhe shokë të të riut, të cilët kanë thënë se Romeo Meçaj nuk ka patur konflikte.

Dëshmitarët kanë pohuar se gjatë sezonit veror 33-vjeçari punonte si skafist, me mjete lundruese që transportonin turistë në Karaburun dhe Sazan.

Kjo punë e lidhte me Delon Troqen, person i vrarë pak metra më tutje me të njëjtën skemë krimi në Maj 2021.

Nga ekspertiza në vendin e ngjarjes janë gjendur më tepër se 15 gëzhoja kallashnikovi në një rreze nga dera e parë e stadiumit "Flamurtari" duke përfunduar tek dera e dytë afro 15 metra më tutje, çka tregon se automjeti tip "Nissan Pajero" ka qenë në lëvizje në momentin e sulmit, ndërsa autorët e kanë ndjekur objektivin.

Mendohet se i plagosuri ka qenë duke kërkuar vend parkimi në lagjen "Pavarësia" ku jetonte, në momentin kur dy ose më shumë autorë kanë qëlluar ndaj tij nga një automjet i vjedhur "Golf 5".

Si pasojë e plagëve të marra Romeo Meçaj nuk ka arritur ta kontrollojë mjetin, duke humbur kontrollin dhe për pasojë është përplasur me një tjetër makinë "Golf" në pronësi të një prej banorëve të zonës.

Policia dyshon se 33-vjeçari është mbajtur në vëzhgim nga autorët, të cilët pasi e qëlluan janë larguar në zonën e shtatë pallatave në Ujin e Ftohtë Vlorë, ku kanë djegur dhe makinën pikërisht në zonën ku në maj 2020 u vra me pesë plumba tek dera e shtëpisë Kristjan Breshani.

Kamerat e sigurisë kanë kapur vetëm momentin ku automjeti i të plagosurit "Nissan Pajero" ka humbur kontrollin dhe është përplasur lehtë në parkimin e zonës.

Pistat kryesore të hetimit janë pazaret e drogës, pa përjashtuar konfliktet mes grupeve që merren me lëndë narkotike midis Spanjës dhe Belgjikës.

33-vjeçari Romeo Meçaj është transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore pasi i është ndaluar hemoragjia në spitalin e Vlorës.

Megjithatë i riu po lufton për jetën si pasojë e plagëve të marra në kraharor, afër zemrës, dhe në këmbë.