Udhërrëfyesja Megi Ismailaj tregon momentin e vështirë: Ja si më humbi turisti në Dubrovnik

“Humbi një klient në Dubrovnik” kështu është shprehur sot udhërrëfyesja e guidës Megi Ismailaj, e ftuar në emisionin e pasdites “Jeto me orën” në RTV ora. Po ashtu të ftuar ishin edhe dy djemtë udhërrëfyes si Ani Rusi dhe Algert Kalica. 

Ani tashmë prej 7 vitesh është bërë pjesë e këtij profesioni, dhe për të ishte e rastësishme.

“Ka rreth 7 vite që merrem me këtë profesion tashmë, e nisa si një punë që nuk kishte të bënte me turizmin. Udhëtimet i kam pas gjithmonë qejf, si për ti vizituar, por edhe për të njohur historinë dhe pozicionin e tyre gjeografik”, u shpreh Rusi.

Edhe për Algertin ishte një profesion që nisi rastësisht. “Kam 5 vite që merrem si udhërrëfyes, u përballa rastësisht me këtë profesion. Një shoku im më kërkoi të shoqëroja një grup turistësh pasi ai nuk mundej një kohë. Më pas nuk përfundoi vetëm aty, por vijoj ende të merrem me këtë gjë”, u shpreh Algerti.

Ndërsa, Megi teksa tregoi sesi u kthye në një udhërrëfyese, ajo tha se në fillim është ndier e “paragjykuar” pasi vendi ynë ka pengesa.

Nuk ka qenë e lehtë, ashtu siç mund t’a besojnë shumë vajza që merren me këtë profesion. Në Shqipërin tonë të vogël gjithmonë ka pengesa, por është gjëja që dua më shumë të bëj. Tashmë ka 7-8 vite që e praktikoj. Për mua ka qenë thjeshtë një ftesë nga zysha ime në fakultet, për të shoqëruar në një udhëtim dy perona. Normalisht që nuk njihja vendet, ishte diçka e re që nuk e kisha dëgjuar më përpara dhe nuk e prisja që është kaq i zhvilluar në Shqipëri”, u shpreh Ismailaj.

Rusi solli në vëmendje një ndër vështirësitë e hasura, ku tha se në fillim problematikë për të ishte menaxhimi i grupit.

 “Udhëtimi i parë ka qenë në Shqipëri. Një tur i përgjithshëm i Shqipërisë nga Veri në Jug. Fillimi ka qenë i vështirë me plotë sfida. Për shembull menaxhimi i grupit, pasi nuk është se isha shumë i përgatitur por, më pas u mësova”, tha Ani. Ndërkohë, Algerti u shpreh në studio se nëse duam që guida të shkojë mirë, klientët duhen trajtuar si miq.

 “Jam mësuar dhe përpjekur që turistin, që ne i themi klientë duhet tamam bash si shokë. Vetëm në këtë mënyrë mund të shkoj gjithçka mirë. Udhëtimet bregdetare janë shumë të mira, sepse disa prej qyteteve kanë dhe shumë histori për tu treguar turistëve”, tha Algerti. Udhërrëfyesit nuk i ‘shpëtuan’ pyetjes së moderatores për rastet më të vështira të hasura në këtë profesion.

Ku Megi shpjegoi rastin kur i kishte humbur një klient. 

“Mbaj mend në një nga guidat e para, më humbi një turistë në Dubrovik. Nuk e njihja turistin, por falë një polici lokal aty më ndihmoi dhe e gjetëm. Klienti ishte shumë i qetë, me atë aparatin fotografik nuk ishte shqetësuar fare”, u shpreh ajo.

Ndërsa për Anin moment më i vështirë kishte qenë njoftimi se njërës prej turisteve i kishte ndërruar jetë bashkëshorti. 

“Ishim duke pushuar në një hotel, sapo ishim kthyer nga terreni. Dhe vjen një ndër klientët dhe më thotë që bashkëshorti i njërës prej turisteve që vinte nga Franca ishte aksidentuar dhe kishte ndërruar jetë. Ky në fakt ishte një lajm I hidhur për ne aty, por edhe për ta menaxhuar”, tha Ani.