Dosja e pronave në Vlorë, gjyqtari pushon akuzat për zyrtarët e hipotekës e ALUIZNI-t. Në ndjekje penale vetëm biznesmeni

Një ndër dosjet me të rëndësishme të prokurorisë së Vlorës, për tjetërsimin e pronave në zonën e Gjilekës në Dhërmi, është pushuar nga gjykata e Vlorës.

Prokurori, Albert Kuliçaj, vitin e kaluar i komunikoi akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, zyrtarë të ALUIZNI-t dhe hipotekës në Vlorë.

E bashkë me zyrtarët shtetërorë, nën akuzë u vendos dhe përfituesi i 1430 m2 tokë, Helidon Gjikoka.

Por në seancën paraprake të ditës së djeshme, 3 mars 2022, gjyqtari Enkel Peza, vendosi të pushojë ndjekjen penale për zyrtarët shtetërorë, duke rrëzuar akuzat për ta.

Të vetmin personazh të pandehur që gjykata e Vlorës, la për të vijuar hetimet është biznesmeni Helidon Gjikoka, i cili prej disa kohësh është në kërkim, pasi gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

“Ora News”, mëson se gjyqtari Peza, vetëm për pjesën e Gjikokës, ka kthyer mbrapsht hetimet, duke detyruar prokurorinë e Vlorës, të vijojë për 4 muaj me radhë procedurat e kryerjes së një akti të ri ekspertimi grafik dhe topografik të firmave dhe hartës treguese të pronës.

Njëherësh Peza, ka urdhëruar heqjen e masës së sigurisë ndaj kësaj pasurie që kishte bllokuar prokuroria, duke e lënë atë tërësisht të lirë.

Ndërsa disa seanca më parë ka qënë vetë prokuroria e Vlorës, që për Helidon Gjikokën, ishte tërhequr për njërën nga 2 akuzat e ngritura ndaj këtij individi.

Prokuroria, tërhoqi në gjykatën akuzën e “Mashtrimit me pasoja të rënda”, duke lënë në fuqi vetëm akuzën e “Falsifikimit të dokumentave dhe formularëve”.

Hetimi për këtë rast fillimisht nisi në prokurorinë e Tiranës dhe më pas dosja u transferua në prokurorinë e Vlorës.

Çështja penale, flet për tjetërsimin e pronave në fshatin Dhërmi, aty ku është ndërtuar kompleksi turistik “Ambel Beach”, që momentalisht administrohet nga Helidon Gjikoka.

10 persona, zyrtarë të hipotekës Tiranë dhe Vlorë si dhe punonjës të ALUIZNI-t, u morën të pandehur për akuzën e “Vjedhjes së pasurisë me anë të mashtrimit”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”.

Helidon Gjikoka, Ardian Musta ish-drejtori i ALUIZNI-t Vlorë, dhe zyrtare të tjerë, ishin njerëzit që u morën të pandehur nga prokuroria e Vlorës.

Hetimi i nisur gati një vit më parë nga akuza e kryeqytetit, e cila ka nxjerë në dritë një sërë dokumentash të falsifikuara, të cilat më pas janë përdorur për tjetërsimin e një sipërfaqe toke në zonën e quajtur “Perivollo” që ndodhet në bregdetin e bukur të fshatit Dhërmi.

Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 1430 m2 me vendodhje në vijën e parë të bregut të detit, e cila rezulton e përfituar sipas ligjit 7501 nga shtetasi Ahilea Koka. Më pas ky i fundit në gusht të vitit 2007, ja ka dhuruar me testament shtetasit, Ilir Koka. Hetimi ka provuar se mbi pasurinë me nr. 36/9 që zotërohet nga Ilir Koka, ky i fundit ka ndërtuar disa kabina pushimi dhe që më pas janë marë me qëra prej kushëririt të tij, Helidon Gjikoka, nga qyteti i Vlorës.

Kontrata e datës 27 shtator 2018, në dukje është firmosur para noteres Saimira Hoxha, mes Ilir Koka dhe Helidon Gjikoka.

Por prokuroria nga hetimi i kryer tregon se në emër të Ilir Kokës në këtë rast ka firmosur një person tjetër që është avokat. Kjo kontratë sipas prokurorisë, humb fuqinë në 31 gusht 2021 dhe se Helidon Gjikoka, duhet të lerë objektin. Por hetimi i kryer nga ana e prokurorisë së Vlorës, ka zbuluar se Helidon Gjikoka, ka paraqitur pranë “ALUIZNI-t” kërkesën nr. 2286 me qëllim legalizimin në emrin e tij të 12 objekteve të ndërtuar në sipërfaqen prej 1430 m2 tokë.

Hetimi ka provuar se që prej datës 28 janar 2019, këto pasuri rezultojnë në pronësi të Helidon Gjikokës, e provuar kjo, me anën e vërtetimit Hipotekor të lëshuar po në këtë datë nga hipoteka Vlorë, e cila ka rregjistruar në emër të Helidon Gjikoka pasurinë “Kompleks Shërbimi me 12 Objekte”, ndodhur në Gjilekë,Himarë.

“…fakti i kalimit të pronësisë në mënyrë të kudraligjshme nga Ilir Koka tek Helidon Gjikoka është bërë në mashtrim të ligjit dhe pa vullnet të pronarit të ligjshëm…”-thotë prokuroria.

Dosja e pronave në Vlorë, gjyqtari pushon akuzat për
Gjyqtari Enkel Peza