Shqipëria e nëndheshme, qindra-mijëra tunele u ndërtuan për tu mbrojtur nga lufta

Pothuajse çdo pallat në Kukës i ndërtuar gjatë regjimit komunist ka një hyrje të veçantë në tunelet e nëndheshme, të cilët të çojnë në një tjetër qytet të fortifikuar.

Ideologjia komuniste e kërcënimit nga armiku i jashtëm,vuri në zbatim qindra streha për popullsinë civile dhe ushtrinë në të gjithë vendin.

Tani 3 dekada nga fundi i regjimit, qytetarët e Kukësit thonë se pavarësisht se strehat nuk janë mirëmbajtur ato mbeten nje vend i sigurtë në kohë luftërash.

"Duhet ti riparojnë, çdo pallat ka strehim."

Më shumë se 30 mijë persona mund të strehohen në Kukës, sipas Hakik Vishës, ish-drejtues i punimeve të vendstrehimeve dhe tuneleve nëntokësore.

"Veç vendstrehimeve këtu është bërë vendosja e centralit elektrik, nafta për spitalin, spitalet, administrata shtetërore, Radio Kukësi, furrat e bukës, të gjitha magazinat."

I njëjti sistem strehimi i nëndheshëm edhe në Lezhë.

Por aty dy bazat ushtarake dhe tunelet për mbrojtjen e popullatës në kohë lufte janë totalisht jashtë funksionit, sipas ekspertit të Sigurisë Paulin Marku.

Marku shton se buxheti i shtetit për mbrojtjen duhet të jetë efikas dhe jo të përdoret për fasade, siç ka ndodhur deri tani.

"Sot më shumë se kurrë buxheti i shtetit i përdorur për Ministrinë e Mbrojtjes të jetë efikas dhe tu shërbejë kapaciteteve mbrojtëse."

Në territorin e bashkisë Lezhë ndodhen Baza Ushtarake Detare e Shëngjinit dhe ajo Ajrore e Gjadrit, si dhe një sëre tunelesh e bunkeresh strehimi.