Shkodra me problematika në 6 mars, Celibashi: 12 qendrat e votimit nuk mund të zhvendosen

Shpërndarja e materialeve zgjedhore nuk ka përfunduar ende në të gjitha qendrat e votimit dhe shkak për këtë janë bërë moti i keq dhe përplasja politike mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. PD ka kundërshtuar kërkesën e kryebashkiakes së Shkodrës për të zhvendosur 12, të cilat ndodhen në zona të thella malore.

5600 qytetarë rrezikojnë që me 6 mars të mos votojnë për shkak se Qendrat e Votimit të tyre ndodhen në zonat e thella malore të Shkodrës.

Pavarësisht kërkesës së kryebashkiakes në detyrë Voltana Ademi për të zhvendosur Qendrat e Votimit, KQZ nuk e ka miratuar për shkak të kundërshtimit të PD-së së Lulzim Bashës.

"Janë 12 Qendra Votimi por sakohë nuk kishte konsensus të plotë nuk e pamë të arsyeshme të bënim ndryshimin e vendodhjes së Qendrave të Votimit".

Edhe pse na ndajnë dy ditë nga 6 marsi, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shprehet se ende nuk janë shpërndarë të gjitha materialet zgjedhore për shkak të terrenit të vështirë në zonat e thella.

Problematikë mbeten edhe partitë politike që nuk kanë çuar anëtarët e komisionit te Qendrat e Votimit.

"Mund të kemi probleme në shpërndarjen e bazës materiale në disa zona të thella të Shkodrës, duhet të marrin masa për të përmbushur këtë detyrim të tyre të ligjit".

KQZ ka zgjidhur edhe çështjen për qytetarët, të cilëve dokumentat e identifikimit u kanë skaduar.

"Qeveria përmes aktit normativ ka vendosur shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së këtyre dokumenteve, kështu që do të jenë të lejuar të votojnë".

Për 5 bashkitë rezultati paraprak do të dalë brenda 48 orëve, ndërsa Vora sapo të mbyllet procesi i votimit.

"Rezultati paraprak synojmë ta shpallim menjëherë sapo të mbyllet votimi në qendrat e votimit në Vorë. Duke llogaritur këtë deri në orën 20:00 të themi brenda datës 6 mars. Sa i përket rezultatit në bashkite e tjera, nuk besoj se do kemi probleme rezultate do ta shpallim jo më vonë se 48 orë nga mbyllja e votimit". 

Në fund të fjalës së tij Celibashi edhe në këto zgjedhje kishte një paralajmërim për komisionerët që do të tentojnë të shkelin ligjin.

"Kushdo që do të tentojë të angazhohet me një proces të shitblerjes së votës dhe ndikimit mbi vullnetin e qytetarëve do të ketë pasoja. Nuk më vjen mirë ta sjell në vëmendje por tashmë një pjesë jo e vogël e atyre rasteve dhe personave që KQZ i ka evidentuar si shkelës të Kodit Zgjedhor janë duke u ballafaquar me organet e drejtësisë. Nëse dikush e ka guximin të ketë ballafaqim me organet e drejtësisë, mund ta bëjë. Ftoj ata qytetarë apo edhe përfaqësues të partive politike që në çdo rast që do evidentojnë shkelje t’i denoncojnë në organet e ndjekjes penale".