Ora News brenda Kukësit të nëndheshëm, qyteti nëntokë me spitale, furra buke dhe kapacitet strehimi për 30 000 civilë
Teksa në kufijtë e Europës Lindore ka shpërthyer lufta, bota është e pasigurt se cili do të jetë fati i saj. E në këto kohë, e gjithë vëmendja është kthyer tek mbrojtja. Kukësi është një qytet i cili poshtë tokës ka një tjetër qytet të nëndheshëm të ndërtuar nga regjimi komunist, ndërsa ajo shihet si strehë e sigurtë.
Këto dyer të fortifikuara mund të gjenden në shumicën e pallateve në Kukës.
Nëse hyn brenda tyre, do të shkosh në një tjetër qytet nën tokë.
I mbushur plot tunele, me dhoma e korridore të mëdha, ndodhet Kukësi i nëndheshëm.
Ai u ndërtua nga regjimi komunist në rast të një sulmi të vendit tonë nga armiqtë e Shqipërisë.
Qëllimi i ndërtimit ishte i qartë.
"Të kemi sa më pak humbje forcash. Sa më pak njerëz të humbim, aq më fitore."
Qyteti i nëndheshëm është 30 metra nën tokë, i aftë të përballojë një sërë goditjesh të forta në sipërfaqe.
"Sipërfaqen e tokës mbi 30 metra, për shkak të ruajtjes së valës goditëse të atomit."
Me një kapacitet strehues të 30 mijë civilëve, Hakik Visha, ish-drejtues i punimeve të vendstrehimeve dhe tuneleve nëntokësore thotë se brenda tyre ishin planifikuar spitale, magazine ushqimore dhe ambiente për komandën ushtarake.
"Përveç vendstrehimeve të popullatës këtu është bërë vendosja e centralit elektrik, nafta për centralin, spitalet, administrata shtetërore, Radio Kukësi, të gjitha magazinat, furrat e bukës, gatimi."
Por me ndryshimin e rendit botëror, u mendua se koha e luftërave ka marrë fund, ndaj këto ndërtime shteti i la të degradoheshin.
Teksa lufta ka hyrë tanimë në kufitjë e kontinentit europian, thirrjet për mirëmbajtjen e këtyre ambienteve shkojnë për shtetin.
"Janë shkatërruar, është hequr sistemi i elektrifikimit. Kanë qenë të gjitha instalimet e dritave, ujit të pijshëm".
Strehimet në pallate dhe qyteti i nëndheshëm u ndërtuan gjatë regjimit të diktatorit Enver Hoxha, si mburoja të sigurta nëse Shqipëria do të përfshihej në situate lufte apo konfliktesh.
Kjo edhe për arsyen se Kukësi, si vend kufitar armikun kryesor kishte ish-Jogusllavinë.


