Agaçi paditet në SPAK, PD: Lejoi shkeljen e ligjit, ishte në dijeni të aferës së incineratorëve

Partia Demokratike dorëzoi padinë e 5-të në SPAK, këtë radhë për sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi.

Deputetja, Ina Zhupa, renditi faktet që sipas saj e implikojnë Agaçin në aferën e incineratorëve, duke theksuar se ai ishte në dijeni të përgjigjes që APP i kishte kthyer ministrit Lefter Koka se kontrata për incineratorin ishte në shkelje të ligjit, por sipas Partisë Demokratike ai nuk ka vepruar.

"APP duhet të sjellë përgjigje për draftkontratën në 16 dhjetor. Vjen përgjigje pozitive nga Ministria e Drejtësisë po në datën 16 dhjetor. Hartohet një kontratë përfundimtare  dhe negociohet mes palëve po në 16 dhjetor dhe kalohet në një kontratë me 40 farqe. Firmoset kontrata midis Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë fituese po brenda datës 16 dhjetor dhe me 17 dhjetor miratohet financimi i kontratës së lidhur në Fier me Klodian Zoton në mbledhjen e qeverisë në vendimin 907 të datës 17 dhjetor. Personi përgjegjës që të ndjekë të gjithë procedurat deri te VKM, 17 procedurat, është Ëngjëll Agaçi. Gjithë ky zell për të bërë rekord Guinness në 17 procedura , ku qeveria edhe në rastin e paketave të Covidit duhej 1-2 javë, që njerëzit ishin në kushte pandemie dhe kishin nevoja emergjente, nuk justifikohej me asgjë përveçse me dëshirën, vrullin e një grupi të strukturuar kriminal, të cilët donin ta bënin sa më shpejt fakt këtë koncesion, të jepnin sa më shpejt paratë te Albtek".