Udhëheqësit botërorë dënojnë sulmin rus në centralin bërthamor

Udhëheqësit botërorë po akuzojnë Rusinë se po rrezikon sigurinë e një kontinenti të tërë pasi forcat e saj sulmuan centralin bërthamor të Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë, duke shkaktuar një zjarr të madh.

Shërbimet e Urgjencës të Ukrainës arritën të shuanin zjarrin, i cili shpërtheu në një ndërtesë jashtë perimetrit të uzinës, por autoritetet thonë se trupat ruse kanë marrë në kontroll centralin.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Jonson tha se sulmi "i pamatur" i Rusisë mund të "kërcënojë drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë Evropës".

Presidenti i SHBA Joe Biden i kërkoi Moskës të ndalojë aktivitetet e saj ushtarake rreth zonës, ndërsa kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se "sulmet e tmerrshme" nga Rusia "duhet të pushojnë menjëherë".

Sulm serioz dhe të pamatur në një vend bërthamor e cilësoi dhe zëvendëskryeministri i Mbretërisë së Bashkuar.

"Është shumë e vështirë të besosh se nuk është bërë qëllimisht, por në çdo rast është e paligjshme të sulmosh një vend si ky, të mos bësh kujdesin e duhur mbi të dhe të vazhdosh ta bombardosh atë kur ka zjarr dhe Shërbimet e urgjencës po i përgjigjen kësaj” tha Dominic Raab për BBC.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork për të "rritur presionin mbi makinerinë e luftës së Putinit".