Misteri i vdekjes së oligarkut të Ukrainës 4 ditë pasi filloi lufta
Një oligark me origjinë ukrainase, i cili bëri pasurinë e tij në naftë dhe gaz, është gjetur i vdekur në rezidencën e tij në Surrey, në Mbretërinë e Bashkuar.
Policia po e trajton vdekjen e babait të tre fëmijëve, Mikhail Watford si 'të pashpjegueshme', por nuk mendohet të jetë e dyshimtë.
Trupi i 66-vjeçarit u zbulua në garazhin e pronës së tij luksoze në Wentworth në Virginia Water, Surrey, ku shtëpitë arrijnë deri në 20 milionë paund.
Lajmi për vdekjen e Watford u shfaq në ditën kur Boris Johnson i tha Commons se ai do të publikojë një listë të plotë të njerëzve të lidhur me regjimin e Vladimir Putin, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve do të përballen me sanksione.
Oligarku u gjet i vdekur mesditën e së hënës, 28 shkurt.
Ditën e djeshme, 2 mars gruaja e tij estoneze, Jane, 41 vjeç, postoi një foto në rrjetet sociale ku shihet duke u puthur me burrin e saj në ambientet e rezidencës së tyre.
Sipas The Sun, një mik i familjes tha se gjendja shpirtërore e Watford mund të ishte tronditur për shkak të luftës në Ukrainë, të nisur nga Rusia javën e kaluar.
“Koha e vdekjes së tij dhe pushtimit të Ukrainës me siguri nuk ishte e rastësishme”, tha burimi për gazetën.
Një tjetër mik i tha The Sun se vdekja e Watford "ngre pikëpyetje" pas vdekjeve të tjera të dyshimta të shtetasve rusë.
Mikhail Tolstosheya u lind në vitin 1955 në Ukrainë, kur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, Watford e bëri pasurinë e tij në biznesin e naftës dhe gazit përpara se të ndërtonte një perandori pronash në Britani.
Ai e ndryshoi emrin e tij në Watford kur u transferua në Mbretërinë e Bashkuar, ku bleu shtëpitë në Sheshin Eaton në Belgravia, Londrën qendrore; një rezidencë 18 milionë paund në Virginia Water, Surrey, dhe së fundmi, një seri pronash në pasurinë Wentworth. Në vitin 2015, ai u ankua se sa e vështirë ishte të gjeje një rezidencë të përsosur jashtë Londrës.
Dje miq reaguan me tronditje dhe pikëllim për vdekjen e tij.
Një zëdhënës i policisë së Surrey tha: "Ne u thirrëm rreth mesditës së 28 shkurtit pas raportimeve për zbulimin e trupit të një burri. U thirr një ambulancë, por burri, i cili ishte rreth të 60-tave, u shpall fatkeqësisht i vdekur në vendngjarje.
"Një hetim për rrethanat e vdekjes është duke u zhvilluar, por nuk besohet se ka ndonjë rrethanë të dyshimtë."
