Ish-ministri i Jashtëm rus: Lufta vëllavrasëse në Ukrainë një akt barbar

Ish-ministri i Jashtëm rus Andrei Kozyrev e ka quajtur luftën në Ukrainë “barbare” në një intervistë për CNN të enjten.

Kozyrev tha se lufta është një akt barbar dhe se nuk mund ta imagjinonte një gjë të tillë kur ishte ministër i Jashtëm, pasi ishte krejtësisht jashtë diskutimit.

“Ata po zbresin tatëpjetën dhe ndihen të pandëshkueshëm, si brenda dhe jashtë vendit. Dhe kjo e rriti oreksin e tyre për fat të keq, jo për ndërtimin e Rusisë. Tani me këtë luftë vëllavrasëse po shkatërrojnë të ardhmen e të gjithë njerëzve vëllazërorë”, - shtoi ai.

Kozyrev tha gjithashtu se sanksionet nga Perëndimi kundër Rusisë duhet të fillojnë të synojnë vendimmarrësit ose ekzekutuesit e atyre vendimmarrjeve në qeveri.

Ai paralajmëroi se sanksionet që synojnë presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov janë si të mos bësh pothuajse asgjë, sepse ata nuk i kanë asetet në emrat e tyre.

Të martën, Kozyrev shkroi në Twitter duke u bërë thirrje të gjithë diplomatëve rusë të japin dorëheqjen nga postet e tyre në shenjë proteste ndaj pushtimit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë.

Andrei Kozyrev ishte ministri i parë i jashtëm i Rusisë nën Boris Jelcin pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.