“Demoralizohen rusët”, shpërthejnë në lot: Jemi mashtruar, s’kemi karburant dhe ushqime. Injorojnë urdhrat e Putin

Teksa forcave ruse u mbarojnë ushqimet dhe karburantet, ata i drejtohen plaçkitjeve, ndërsa të tjerë, thuhet se sabotojnë pajisjet e tyre ushtarake dhe urdhrat e komandanteve në përpjekje për të ndalur luftimet. 

Tentativa e rusëve për të marrë Kievin duket se po merr fund, ndërsa Ukraina raporton se deri më tani janë vrarë 6 mijë ushtarë nga radhët e kundërshtarëve.

Mediat, kanë publikuar pamje të ushtarëve të kapur rob. Ata shfaqen të përlotur dhe thonë se nuk e kishin idenë se çfarë i priste në Ukrainë.

Mesazhet e përgjuara të radios tregojnë se trupat nuk u binden urdhrave nga Moska për të bombarduar qytetet ukrainase dhe ankohen për mbarimin e ushqimit dhe karburantit.

“Kemi tre ditë këtu. Kur dreqin do të jetë gati?”, dëgjohet duke thënë një ushtar, që kërkon ushqim dhe karburant.

Një regjistrim i tretë paraqet një shkëmbim të tensionuar në të cilin i njëjti ushtar refuzon të përdorë artilerinë në një zonë derisa civilët të largohen.

Video të veçanta besohet se tregojnë trupat ruse të zemëruara që tërhiqen, ndërsa një ushtar thuhet se i ka dërguar mesazh nënës së tij: “E vetmja gjë që dua tani është të vras veten”.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane u tha gazetarëve të martën se forcat ruse janë përballur me probleme të mëdha pasi shpresat e Putinit për një pushtim të shpejtë të Kievit u shkatërruan, shkruan The Sun, raporton Ora News.

Disa njësi thuhet se po i mbarojnë ushqimet dhe karburantet, ndërsa një numër trupash ishin shumë të papërvojë dhe as që e dinin se po dërgoheshin në luftime.