Rusia kërcënon NATO-n, shkak dërgesa e armëve në Ukrainë

Rusia ka kërcënuar NATO-n për shkak të armatimeve që ajo dërgon për ushtarët ukrainas, Ministria e Jashtme ruse deklaroi se për sa kohë kjo vazhdon nuk do të ketë garanci se nuk do të ketë një përplasje me Aleancën e Atlantikut.

Ministria e Jashtme ruse ka kërcënuar NATO-n pasi aleanca ka njoftuar se po furnizon me armatime Ukrainën.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandër Grushko tha se nuk ka asnjë garanci se nuk do të ketë incidente mes Rusisë dhe NATO-s për sa kohë Aleanca vijon të furnizojë me armë Ukrainën, duke rritur shqetësimet për një përplasje mes Moskës dhe forcave të NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi në 28 shkurt se Aleanca do të shtonte furnizimet me raketa të mbrojtjes ajrore dhe armatime anti-tank ndaj Ukrainës për të ndihmuar Kievin që t’u bënte ballë forcave ruse, në atë që ato e quajnë operacion ushtarak.

NATO i është përgjigjur më herët kritikëve dhe qeverisë ukrainase se nuk do të dërgonte trupa për të luftuar me forcat ruse, por ata do të dërgonin armatime në Ukrainë.

Duke komentuar rreziqet e mundshme të incidenteve të tilla midis Rusisë dhe aleancës, diplomati rus vuri në dukje se Moska beson se është e arsyeshme që NATO të mos ndërhyjë ushtarakisht në situatën në Ukrainë.

Një deklaratë shqetësuese ka bërë gjatë së të mërkurës edhe kryediplomati rus Sergej Llavrov i cili tha se nëse do nisë një Luftë e tretë Botërore, ajo do të zhvillohet përmes armëve bërthamore dhe se pasojat do të jenë të pariparueshme.