Biden zotohet të ndalë agresionin rus: Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të vendeve të NATO-s
Presidenti Biden ka njoftuar ndalimin e avionëve rus nga hapësira ajrore amerikane.
Ai shtoi se do të ndërmarrë sanksione ndaj oligarkëve rusë për sekuestrimin e pasurive të tyre.
Departamenti i Drejtësisë po krijon një task forcë për të ndjekur krimet e oligarkëve rusë. Ne po bashkohemi me aleatët tanë evropianë për të gjetur dhe sekuestruar jahtet e tyre, apartamentet e tyre luksoze, avionët e tyre privatë. Dhe sonte, unë po njoftoj se ne do të bashkohemi me aleatët tanë në mbylljen e hapësirës ajrore amerikane për të gjitha fluturimet ruse duke e izoluar më tej Rusinë dhe duke goditur edhe më tej ekonominë e tyre. Ata nuk e kanë idenë se çfarë po vjen.
"Putini mund ta rrethojë Kievin me tanke, por ai kurrë nuk do të fitojë zemrat dhe shpirtrat e popullit ukrainas", tha Presidenti Biden. "Ai kurrë nuk do ta shuajë dashurinë e tyre për lirinë. Ai kurrë nuk do ta dobësojë vendosmërinë e botës së lirë”.
Presidenti ripërsëriti se forcat amerikane nuk do të futen në Ukrainë për të luftuar me ushtrinë ruse por të mbrojmë çdo centimetër të territorit të vendeve të NATO-s
"Më lejoni të jem i qartë, forcat tona nuk janë të angazhuara dhe nuk do të përfshihen në konflikt me forcat ruse në Ukrainë. Forcat tona nuk do të shkojnë në Evropë për të luftuar në Ukrainë, por për të mbrojtur aleatët tanë të NATO-s, në rast se Putini vendos të vazhdojë të lëvizë drejt perëndimit. Për këtë qëllim ne kemi mobilizuar forcat tokësore amerikane, skuadriljet ajrore dhe anijet, për të mbrojtur vendet e NATO-s, përfshirë Poloninë, Rumaninë, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë. Siç e kam bërë të qartë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të vendeve të NATO-s me energjinë e plotë të fuqisë sonë kolektive".
Në fjalimin e tij të së martës në mbrëmje. 2 mars 2022. Presidenti Biden nënvizoi vendosmërinë e një aleance perëndimore të rigjallëruar rishtazi, që ka punuar për të riarmatosur ushtrinë ukrainase dhe për të gjymtuar ekonominë ruse përmes sanksionesh
“Gjatë gjithë historisë sonë ne kemi marrë këtë mësim – kur diktatorët nuk paguajnë një çmim për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos. Ata (dikatorët) vazhdojnë të bëjnë përpara. Dhe kostot dhe kërcënimet për Amerikën dhe botën vazhdojnë të rriten. Lufta e Putinit ishte e paramenduar dhe e paprovokuar. Ai refuzoi përpjekjet për diplomaci. Ai mendoi se Perëndimi dhe NATO nuk do të përgjigjeshin. Dhe, ai mendoi se mund të na ndante në shtëpi tonë. Putini e kishte gabim. Ne ishim gati".
