Princi Charles dënon agresionin rus, hera e parë që trashëgimtari i fronit britanik kritikon Putin

Trashëgimtari i fronit britanik ka shprehur publikisht qendrimin e tij për luftën Rusi-Ukrainë, duke dënuar agresionin rus. Kjo nuk është hera e parë që Princi Charles kritikon presidentin Putin, edhe pse anëtarët e familjes mbretërore rrallë përfshihen në çështje politike, duke iu përmbajtur normës kushtetuese për të qendruar neutralë.

Princi Charles, trashëgimtari i fronit britanik, e cilësoi pushtimin rus të Ukrainës një "agresion brutal" dhe shprehu solidaritetin e tij me popullin ukrainas që po i rezistojnë sulmit.

Princi  i bëri këto komente gjatë një fjalimi në përkujtim të ligjvënësit britanik David Amess, i cili u vra vitin e kaluar. Ai e krahasoi vrasjen e tij me ngjarjet në Ukrainë, duke theksuar se ky është një "sulm ndaj demokracisë, ndaj një shoqërie të hapur, ndaj vetë lirisë".

"Ne po shohim të njëjtat vlera të sulmuara sot në Ukrainë në mënyrën më të papërgjegjshme. Në qëndrimin tonë, ne jemi në solidaritet me të gjithë ata që po i rezistojnë agresionit brutal," tha 73-vjeçari.

Anëtarët e familjes mbretërore rrallë përfshihen në çështje politike, duke iu përmbajtur normës kushtetuese e cila i detyron të qëndrojnë neutralë.

Më herët edhe Princi William, djali i Charles dhe gruaja e tij Kate thanë se qëndrojnë  me popullin e Ukrainës ndërsa ata "luftojnë me guxim" pushtimin nga Rusia.

Në vitin 2014, Charles shkaktoi një incident diplomatik me deklaratën e tij publike se presidenti rus Vladimir Putin "po bënte pothuajse të njëjtën gjë si Hitleri".

Charles i bëri këto komente pas aneksimit nga Rusia të provincës së Krimesë, dhe mori kritika nga ministria e Jashtme ruse, e cila tha se komentet ishin "të papranueshme" dhe nuk i shkonin monarkut të ardhshëm britanik.