Në ditën e shtatë të luftës, forcat ruse morën Kharkivin dhe Khersonin, 21 të vrarë dhe 112 të plagosur
Në ditën e shtatë të pushtimit, Rusia ka marrë më shumë qytete nën kontroll, duke përfshirë qytetin e dytë më të populluar Kharkiv dhe një qytet me dalje në detin e Zi. Ukraina ka njoftuar se do të marrë më shumë raketa dhe dronë nga Turqia.
Trupat ruse kanë zbarkuar në qytetin Kharkiv, qyteti i dytë më i populluar në Ukrainë.
Autoritetet ukrainase thanë se trupat ajrore ruse u ulën rreth orës 3 të mëngjesit të së mërkurës dhe zhvilluan konfrontime të ashpra me ushtrinë vendase.
Ukraina raportoi se Rusia sulmoi përmes raketave një ndërtesë policie dhe një universitet në Kharkiv rreth orës 8:00 të së mërkurës.
Të paktën 21 persona u vranë dhe 112 të tjerë mbetën të plagosur nga bombardimet në Kharkiv, njoftoi guvernatori i rajonit.
Forcat ruse kanë marrë nën kontroll gjithashtu qytetin Kherson pranë Detit të Zi në presën jugore të Ukrainës.
Ushtria ruse ka marrë nën kontroll stacionin hekurudhor dhe portin e Khersonit.
Kombet e Bashkuara thanë se të paktën 136 civilë janë vrarë që nga 24 shkurti, megjithëse numri i viktimave mendohet të jetë më i lartë.
Përsëri sipas OKB-së gjysmë milioni njerëz janë zhvendosur nga vendi drejt shteteve fqinje të Ukrainës.
Rusia ka njoftuar se banka më e madhe vendase Sberbank është larguar nga tregu evropian, pasi sipas saj filialet e bankës në perëndim po përballen me kërcënimin e sigurisë së punonjësve dhe pronës.
Mbrojtja ukrainase ka njoftuar se vendi do të marrë më shumë raketa Stinger dhe Javelin nga jashtë si dhe një tjetër dërgesë me dronë nga Turqia.


