Zbulohet ku e ka fshehur Vladimir Putin familjen e tij

Vladimir Putin ditët e fundit ka fshehur anëtarët e familjes së tij në një 'qytet nëntokësor' në Siberi, sipas një profesori rus.

Bunkeri luksoz i teknologjisë së lartë ndodhet në malet Altai dhe është projektuar për mbrojtje në rast lufte bërthamore, tha shkencëtari politik Valery Solovey, 61 vjeç.

Dikur profesor në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë (MGIMO) Solovey ka pretenduar më parë se Putin vuante nga probleme shëndetësore të cilat i kishte mbajtur të fshehura nga publiku rus dhe ka marrë pjesë në rituale të çuditshme sekrete shamanike së bashku me ministrin e tij të mbrojtjes Sergey Shoigu.

Disa në Moskë e hedhin poshtë Solovey-n si një teoricien konspirativ dhe mashtrues, por vetëm javën e kaluar ai u mor në pyetje për shtatë orë nga autoritetet ruse për shkak të pretendimeve që ai bëri për gjendjen mjekësore dhe mendore të Putinit në një faqe Telegram që ai operon. 

Shtëpia e tij u kontrollua gjithashtu dhe u sekuestruan disa sende elektronike. Solovey u lirua më pas, por çështja nuk është mbyllur, shkruan Daily Mail. 

Pretendimi vjen ndërsa Rusia godet Kievin dhe Kharkivin me sulme raketore, duke çuar në akuza se Putini po kryen krime lufte duke vendosur bomba shkatërruese mbi civilët e pafuqishëm.

“Në fundjavë, familja e Presidentit Putin u evakuua në një bunker special të përgatitur në rast lufte bërthamore”, tha profesori në një video.

Ky bunker ndodhet në Republikën e Altait.                

“Në fakt, nuk është një bunker, por një qytet i tërë nëntokësor, i pajisur me shkencën dhe teknologjinë më të fundit”.

Solovey nuk i identifikoi anëtarët e familjes së Putinit që supozohet se janë dërguar në bunker.