Kosova do të presë 20 gazetarë ukrainas, Kurti: Do t'u mundësojmë të punojnë nga distanca

Qeveria e Kosovës do të presë 20 gazetarë nga ukrainas që janë larguar për shkak të luftës dhe sulmeve ruse.

Lajmin e ka bërë me dije vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili shkruan se atyre do tu mundësohet puna nga distanca.

Kurti: Qeveria jonë sapo vendosi të presë 20 gazetarë nga Ukraina në Kosovë. Ata u detyruan të largoheshin nga atdheu i tyre nga pushtimi rus. Në mbështetje dhe solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj, në bashkëpunim me EFJEUROPE & ECPMF, ne do t'u mundësojmë atyre të punojnë nga distanca.

Mësohet se përparësi do t'u jepet gazetareve femra të cilat do të zgjidhen nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).

Reuters bën me dije se qeveria fillimisht do të ndajë 150,000 euro për të paguar shpenzimet e tyre të jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t'u mundësuar atyre të punojnë në distancë.

Nuk kishte asnjë të dhënë se kur do të mbërrinin gazetarët në Kosovë, e cila nuk është as anëtare e NATO-s dhe as e BE-së, por i është bashkuar vendeve të tjera perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.