KE "lëshon" dorën, miratohet fondi 3.2 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian do të financojë me 3.2 miliardë euro 21 projekte në Ballkanin Perëndimor. Në zbatim të Procesit të Berlinit, fondet do të jepen për ndërtimin e hekurudhave, ndërtimin e impianteve të përpunimit të ujërave, por dhe digjitalizimin.

3.2 miliardë euro është shuma që Komisioni Evropian ka firmosur për të investuar në Ballkanin Perëndimor. Në deklaratën për mediet është bërë e ditur se janë 21 projekte  që do të financohen dhe që kanë të bëjnë me transportin, digjitalizimin, klimën dhe ndërlidhjen e energjisë.

Ndër më kryesoret konsiderohet ndërtimi i linjës hekurudhore në rajon përfshirë korridorin Mesdhetar, Lindje-Perëndim dhe atë Rin-Danub, si dhe mes Shkupit në Maqedoninë e Veriut dhe kufirit bullgar.

Këto projekte do të lehtësojnë tregtinë rajonale, do të reduktojnë kohën e udhëtimit dhe do të nxisin një rritje të qëndrueshme ekonomike, duke sjellë përfitime të mëdha për qytetarët dhe bizneset.

Gjithashtu dhe trajtimi i ujërave të zeza do të jetë prioritet në fondin e akorduar.

Në këtë mënyrë duket se KE ka vendosur të çojë përpara atë që konsiderohet Procesi i Berlinit përmes të cilit sigurohet rritja ekonomike e vendeve të Ballkanit, krijimi i një tregu të përbashkët por dhe lëvizja e lirë.

Ndërlidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme në transport, në infrastrukturën digjitale dhe në energjinë e rinovueshme do të nxisin ekonominë, do të çojnë përpara tranzicionin e gjelbër dhe digjital të rajonit, si dhe do të sjellin një numër mundësish për njerëzit dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë BE-në.

Këto investime do të përshpejtojnë gjithashtu integrimin e rajonit, në përputhje me perspektivën e tij të qartë evropiane”, tha Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhely.

Gjatë viteve të ardhshme, Plani Ekonomik dhe i Investimeve do të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, si një kombinim i granteve, kredive preferenciale dhe garancive.