Eurodeputetja gjermane: Serbia të dënojë pushtimin rus në Ukrainë, koha e uljes në 2 karrige ka mbaruar

Eurodeputetja gjermane Viola von Cramon ka kërkuar nga Serbia të pozicionet qartë për pushtimin rus të Ukrainës.

Në një postim në rrjetet sociale ajo shkruan se "është koha e duhur që qeveria serbe dhe presidenti serb të dënojnë publikisht pushtimin rus në Ukrainë".

Sipas saj, koha e uljes në dy karrige për Serbinë ka mbaruar.

Ajo nënvizon se mosangazhimi me të gjithë Evropën për këtë çështje do ta vendosë Serbinë në izolim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pritet që të dalë sot në një adresim publik ku do të mbajë një qëndrim lidhur me situatën në Ukrainë.

Reagimi i Vuçiç vjen pas presionit të perëndimit e kryesisht nga Departamenti i Shtetit dhe Bashkimi Evropian, pasi ishte ndër liderët e vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë që ende nuk kishte mbajtur një qëndrim lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Moska.

Vuçiç, i cili njihet për aleancën e konsoliduar që ka me presidentin e Rusisë Vladimir Putin do të duhet t’i dalë kundër, për të qëndruar në rrugën e Serbisë drejt BE-së, ose të aprovojë pushtimin e Ukrainës dhe të mbyllë kapitullin e perspektivës evropiane të vendit.