Gjashtë shtetas grekë të vrarë nga sulmet në Ukrainë, Greqia e zemëruar thërret ambasadorin rus

Greqia thërret ambasadorin e Rusisë në Ministrinë e Jashtme pasi 6 shtetas me kombësi greke janë vrarë dhe 6 të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse pranë Mariupol në Ukrainë.

Ministria e Jashtme greke tha se bombardimi ndodhi në periferi të fshatrave Sartana dhe Bugas dhe një nga të plagosurit ishte një fëmijë, raportoi Reuters.

"Vdekja e shtetasve tanë na pikëlloi dhe zemëroi për këtë sulm të papranueshëm rus kundër civilëve," tha në një deklaratë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Me udhëzim të Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, Sekretari i Përgjithshëm Themistoklis Demiris i bëri një notë të fortë proteste me telefon ambasadorit rus në Athinë dhe e thirri nesër në Ministrinë e Jashtme, informon kjo ministri.