Kosova i kërkon SHBA-së vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake, dhe anëtarësim në NATO
Kosova i ka kërkuar SHBA-së që të vendosë një bazë të përhershme ushtarake në vend dhe të përshpejtojë integrimin e saj në NATO pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, tha ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.
"Anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Bazuar në realitetin e krijuar pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe reflektimit të tij në mjedisin e përgjithshëm të sigurisë së Ballkanit Perëndimor, Evropës dhe Botës, kërkojmë nga SHBA dhe të gjitha vendet aleate dhe partnere të vendit, përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO" shkruan ministri në një postim në facebook
Kosova i është bashkuar shteteve të tjera që kanë vendosur sanksioneve kundër Rusisë. Zoti Mehaj ka thënë se qeveria e tij ishte e gatshme t'i ofronte ndihmë Ukrainës për çdo operacion ushtarak, nëse kjo kërkohet nga Uashingtoni.
"Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, kemi dëshmuar dhe konfirmojmë qëndrimin dhe vendosmërinë e fuqishme që jemi luftëtarë të denjë në mbrojtje të vlerave euroatlantike të lirisë, paqes dhe demokracisë, vlera mbi të cilat qëndron NATO dhe misioni i saj.
Aleatë tanë, edhe ju vende, anëtare të NATO-s, që hezitoni në njohjen e realitetit shtetëror të Republikës së Kosovës, Mos hezitoni më!
Kjo është koha që të gjitha kombet e përgjegjshme të mos përjashtojnë askënd në vizionin e përbashkët dhe para së keqes së përbashkët. Kosova dhe populli i saj, në këtë kohë, të sfidës së përbashkët, si gjithmonë, qëndrojmë fuqishëm së bashku me ju në anën e duhur të historisë.
Gjithashtu, është koha të ripërsëris edhe tani, kërkesën time adresuar aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, SHBA-së, për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake të Forcave Amerikane, si garancë e plotë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.
Ne, së bashku, jemi plotësisht të vetëdijshëm për sfidat, kërcënimet dhe rreziqet potenciale, andaj të veprojmë sot që të parandalojmë kundër të keqes së paparashikueshme për rajonin , kontinentin dhe globin edhe nga kjo anë."
Aktualisht SHBA ka tashmë 635 ushtarë në Kosovë si pjesë e misionit paqëruajtës të NATO-s ndërkohë që 4 shtete anëtarë të natos nuk e njohin ende pavarësinë e saj.


