Pushtimi rus, eurodeputeti austriak: Para Ukrainës, duhet të fusni Ballkanin në BE!

Eurodeputeti, Lukas Mandl, i ka bërë thirrje Komisionit të Evropës që përpara se të marrë në shqyrtim kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në BE, të integrojë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl ka reaguar lidhur me kërkesën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian pas sulmeve në vend nga forcat ruse.

Mandl i ka bërë thirrje presidentes së Komisionit Evropian që përpara se të marrë në shqyrtim anëtarësimin e Ukrainës në BE, duhet të konsiderojë integrimin e menjëhershëm të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Mandl: Është e kuptueshme që presidentja Ursula von der Leyen po shqyrton dhe po flet për anëtarësimin e Ukrainës në BE në këtë situatë. Por para se të ndodhë kjo, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranohen tashmë në BE. Ky është një rajon shumë më i vogël dhe tepër i pjekur për Bashkimin Evropian.

Të hënën, presidenti ukrainas i kërkoi Bashkimin Evropian anëtarësimin e menjëhershëm të Ukrainës.

Eurodeputeti Lukas Mandl u ndal edhe te problemet në rajon.

Ai kritikoi Serbinë për qëndrimin e saj kundrejt Rusisë dhe i bëri thirrje të njohë Kosovën sa më parë.

Mandl: Tensionet në Ukrainë kanë çuar në disa zhvillime irrituese në Ballkanin Perëndimor. Të gjitha institucionet e BE tani duhet t'i bëjnë thirrje Serbisë të distancohet nga Rusia sa i përket sulmeve ushtarake ndaj Ukrainës. Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe të njohë pavarësinë e saj pa vonesa.

Eurodeputeti u bëri thirrje edhe 5 shteteve evropiane që të njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Mandl: Tani është koha që pesë shtetet anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë. Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja duhet ta njohin menjëherë Republikën e Kosovës