SHBA urdhëron dëbimin e 12 anëtarëve të misionit rus në OKB
Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar dymbëdhjetë anëtarë të misionit të Rusisë në Kombet e Bashkuara të largohen nga Amerika.
“Ata diplomatë të cilëve u është kërkuar të largohen nga Shtetet e Bashkuara ishin të angazhuar në aktivitete që nuk ishin në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre si diplomatë”, tha zëvendësambasadori amerikan Richard Mills në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pa dhënë më shumë detaje.
Ambasadori rus në OKB Vassily Nebenzia u përgjigj duke thënë se shpjegimi i Mills për dëbimet ishte "jo i kënaqshëm".
Misioni i SHBA-së në OKB tha gjithashtu në një deklaratë se 12 diplomatët rusë ishin "operativë të inteligjencës të cilët kanë abuzuar me privilegjet e tyre të qëndrimit në SHBA duke u angazhuar në aktivitete spiunazhi që janë të dëmshme për sigurinë kombëtare".
“Ne po e marrim këtë veprim në përputhje me marrëveshjen e selisë. Aksioni i sotëm ka qenë në punë prej disa muajsh,” tha zëdhënësja e Misionit të SHBA, Olivia Dalton.
Ata janë udhëzuar të largohen deri më 7 mars.

