Jauri: Sulmi frontal në Ukrainë, shkelje flagrante. S’u mor seriozisht që Putin do të arrinte deri në këtë pikë
Eksperti i sigurisë, Ermal Jauri është shprehur se ndërhyrja e trupave ushtarake ruse në Ukrainë ishte një shkelje flagrante e të gjithë ligjeve ndërkombëtare.
Në një intervistë për Ora News, Jauri tha se sulmi ndaj Ukrainës ishte i planifikuar ndërsa shtoi se askush nuk e mori seriozisht që Presidenti Vladimir Putin do të arrinte në këtë pikë.
Ermal Jauri: Ndërhyrja e trupave ushtarake ruse në Ukrainë ishte një shkelje flagrante e të gjithë ligjeve ndërkombëtare. Kemi të bëjmë me një sulm të mirëfilltë ushtarak të planifikuar netre drejtime, në drejtim të Kievit, nga Bjellorusia, nga gadishulli i Krimesë, dhe kemi një përparim të tmerrshëm të forcave ruse në hapësirën territoriale të një shteti sovran i cili ishte në rrugëtimin e tij për të qenë një vend anëtar i NATO-së dhe anëtar për BE. Nuk u mor seriozisht që Putin do të arrinte deri në këtë pikë.
Ndër të tjera ai shtoi se Ukraina i bëri rezistencë Rusisë, gjë të cilën kjo e fundit nuk e kishte marrë me mend.
Ermal Jauri: Ajo që Rusia nuk kishte planifikuar në këtë plan, ishte përballja me Ukrainën në tërësi, qoftë ushtarakisht, por edhe me popullatën. Trupat ruse pretendonin që pas natës parë dhe të dytë të pushtimit, do të kishte një dorëzim nga forcat ushtarake të Ukrainës. Kjo gjë jo vetëm që nuk ndodhi por pati një rezistencë të jashtëzakonshme. U shtua dhe një mbështetje e jashtëzakonshme e popullatës.
Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.
