Reporterja në Ukrainë rrëfen për Ora News tre netët e luftës: Hip e zbrit në bunker, Kievi është i paralizuar

Kievi është i paralizuar, rradha të gjatë në farmaci, supermarkate e bakomate që lejojnë veç 90 euro në ditë.

Mariana Diaz Vasquez është korrespondente për Europën e televizionit kilian "Kanale13" e prej disa ditësh ndodhet në Ukrainë.

Për gazetaren e Rtv Ora e Ora News në Romë, ajo ka rrëfyer situatën e orëve të fundit në Ukrainë.

Alba Kepi: Prej sa ditësh ndodheni në Ukrainë?

Mariana Diaz Vasquez: Kam mbërritur në Ukrainë tre ditë më parë e është një rikthim pasi në fillim të shkurtit qëndrova rreth 10 ditë.

Alba Kepi: Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre tre ditëve, si kanë qënë këto 72 orë?

Mariana Diaz Vasquez: Situata ka precipituar në mënyrë të pabesueshme. Ka qënë një eskalim që askush nuk e priste. Kur mbërritëm këtu të mërkurën në mbrëmje, gjendja ishte pak e frikshme e njerëzit ishin të preokupuar. Pikërisht atë natë, pra mes të mërkurës e të enjtës pati bombardime në zonën e aeroportit e pas tyre nisi gjithçka. Zhvillimi i ngjarjeve gjatë këtyre orëve ka qënë shumë i dhunshëm, e shumë i shpejtë. Njerëzit po përpiqen të largohen ku të munden. Deri një natë më parë ndodheshim në hotelin me emrin "Ukraina", në sheshin e Pavarësisë, në qëndër të Kiev. Por na informuar se hoteli duhej të mbyllej, ndoshta për motive sigurie. E qe mjaft e vështirë të gjenim qoftë një taksi për t'u spostuar e për të gjetur një hotel të hapur. Mundëm të strehoheshim këtu ku ndodhemi sot, në një hotel në veri të Kiev e besoj se jemi rreth 5 km nga qëndra e qytetit.

Alba Kepi: Netët i kaloni në rifuxhot nëntokë?

Mariana Diaz Vasquez:  Që kur kam mbërritur e deri sot, pra u bënë tre netë mjaft të vështira. Ka një alarm të vazhdueshëm sirenash që sa herë bien na informojnë të futemi në rifuxhot e hotelit. Pra nata është një hyrje-dalje e vazhdueshme në strehimet nëntokë. Qëndrojmë në to 1 orë ose 2 derisa sa qetësohet gjëndja, ngjitemi përsëri në dhoma e ndodh që pas gjysëm ore sirenat të bien përsëri e të gjithë zbresim prapë në bunkeret në tokë që janë më të sigurta. Pra netët janë kështu e vështirë të flesh më shumë se 1 orë rresht. E nata e parë pra kur nisi gjithçka qe vërtetë e tmerrshme me bombardimet e mëngjesit herët.

Alba Kepi: Çfarë ndodh gjatë ditës, me popullsinë, fëmijët, ushqimin, jetesën? Kemi parë video rradhësh të gjata të njerëzve që përpiqen të largohen nga Kievi apo qytetet e tjera ukrainase, po të tjerët?

Mariana Diaz Vasquez: Normalisht ne si gazetarë dokumentojnë se po ndodh diçka e rëndë diku e në përgjithësi në pjesën tjetër të vendit gjithçka funksionon normalisht, pra problemi është veç në një zonë të caktuar. Por në këtë rast nuk është absolutisht kështu. Nuk ka më normalitet. Ekzistonte rreth tre javë më parë e kaosi e preokupacioni ishte vetëm në Donbas e Krime, e në Kiev jeta vazhdonte normalisht. Por momentalisht nuk është më kështu. Ka shtet rrethim kudo, të gjitha dyqanet janë të mbyllura, ka të shtëna e zhurmë armësh në çdo cep, nuk ka njerëz në rrugë. E nuk dimë as nga vijnë këto të shtëna. A janë luftime që kryhen mes dy fronteve, a janë sinjale paralajmëruese për të trembur njerëzit. Nuk dimë se kush qëllon, pasi nuk mundim t'i shohim. Dëgjojmë veç zhurmë armësh. Ka radhë të gjata në farmaci, në ato supermerkata që janë të hapura. Ka radhë në bankomate me një limit ditor të tërheqjes së parave vetëm 90 euro. Pra nuk ka asgjë normale, qyteti është i paralizuar e vetë njerëzit ndjehen të tillë.

Alba Kepi: Videot e fundit që vijnë nga Ukraina shfaqin tanke ruse nëpër rrugët e qyteteve. Në Kiev ç'po ndodh?

Mariana Diaz Vasquez: Për momentin në Kiev, të paktën në zonë ku ndodhemi kemi parë të lëvizin vetëm karvane ushtarake ukrainas. Gjatë ditës lëvizjet janë të limituara e për ne është e pamundur të largohemi shumë nga vendqëndrimi. 

Alba Kepi: Çfarë të trondit në këtë qytet?

Mariana Diaz Vasquez: Në rifuxhot e nëndheshme mblidhen shumë familje, me fëmijë mjaft të vegjël, e të moshuar. I sheh në atë gjëndje paqartësie, të dhimbshme e është e tmerrshme. Ata kërkojnë veç të kthehen në shtëpitë e tyre, në jetën e tyre nuk i intereson gjë tjetër, por ndodhen të mbyllur në këtë bunker.